turqia flag i mir

Turqia do “pastrim” të historisë

Pas debatit të madh në Kosovë rreth kërkesës së ministrit turk të Arsimit, për ndryshime në tekstet shkollore të historisë, ka reaguar ambasadorja në Kosovë, Songül Ozan.

Në një prononcim për RTK, ajo ka thënë se projekti me Ministrinë e Arsimit të Kosovës, nuk përmban ndonjë qëllim të ndryshimit të historisë.

“Me këtë marrëveshje synohet që gjeneratave të ardhshme të ju sigurohet mësimi i historisë me një botëkuptim objektiv që nuk ngërthen elemente urrejtjeje dhe që është e pastruar nga paragjykimet.”, ka thënë ambasadorja.

Në vend të ndryshimit, ambasadorja përdor fjalën “pastrim”.

“Në takim janë vlerësuar edhe mundësitë e bashkëpunimit te cilat do të mund të përdoreshin në periudhat e ardhshme për pastrimin e elementeve të cilat përmbajnë shprehje të gabuara dhe paragjykuese të paraqitura në disa libra të mësimit fillor, në pjesët ku flitet për turqit dhe periudhën e Perandorisë Osmane, si dhe përmirësimin e disa hartave të cilat përmbajnë emërtime të papranueshme nga vendi ynë”, ka thënë e dërguara e Turqisë në Kosovë.

Historianët kosovarë kanë thënë se librat nuk përmbajnë elemente fyese dhe se askush nuk mund të mohojë faktin se Perandoria Osmane ka qenë pushtuese.