Tuneli që s’çon askund

Tuneli që s’çon askund

Tuneli që s’çon askundNë pjesën perëndimore të Manhatanit është duke u krijuar një tunel prej 185 milionë dollarësh, i financuar nga shteti, i cili nuk çon askund, tani për tani. Hendeku i betontë, i gjatë 245 metra dhe i thellë 10 metra, një ditë mund të çojë drejt dy tuneleve të reja hekurudhore nën lumin Hudson drejt Nju-Xherzit, nëse miliardat e nevojshme për t’i krijuar ata do të materializohen ndonjëherë.

Tuneli po ndërtohet tani pasi që projekti masiv Hudson Yards me gjashtë rrokaqiej, prej të cilëve më i larti do të ketë 80 kate, së shpejti do të ndërtohet mbi të. Krijimi i një hendeku të tillë masiv pasi rrokaqiejt të jenë ndërtuar, sipas zyrtarëve, do të ishte një makth inxhinierik dhe financiar.

Senatori amerikan Charles Schumer ka qenë në mesin e ligjbërësve që e kanë shtyrë Kongresin të aprovojë fondet për krijimin e një tuneli që i reziston përmbytjeve, duke e quajtur atë lehtësim për mbrojtjen e infrastrukturës nga stuhitë e të ardhmes. Por, ai ka argumentuar se ai duhet të krijohet tani, sepse ndërtimtarët e rrokaqiejve s’mund të presin pafundësisht që t’ia nisin punës.

“Ne u kemi kërkuar atyre që t’i shtyjnë punët disa muaj, por nëse do t’i kishim pyetur ata që t’i shtynin punët disa vite, ata mund të kishin thënë jo”, ka deklaruar Schumer, duke iu referuar The Related Cos, ndërtimtarëve të Hudson Yards. Tuneli pritet të përfundohet në vjeshtën e 2015-s.
Aktualisht janë dy tunele, të hapura më 1910, mes Penn Station të Nju-Jorkut dhe Njuarkut të Nju-Xherzit, dhe ata s’mund të akomodojnë më shumë trena. Ata po ashtu janë pre e vërshimeve.

Çfarëdo prishje në tunele mund të çojë drejt vonesave të mëdha për 250.000 njerëzit që përdorin Penn Station çdo ditë për të udhëtuar me NJ Transit dhe Amtrak. “Ekziston nevoja urgjente për të zgjeruar kapacitetet ndërmjet Nju-Jorkut dhe Nju-Xherzit”, ka thënë Craig Schulz, zëdhënës i Amtrak, trenat e të cilit që udhëtojnë nëpër korridorin verilindor shpesh janë të stërmbushur.
Mitchell Moss, drejtor i Qendrës për Transport “Rudin” në Universitetin e Nju-Jorkut, ka thënë se duhet të krijohen tunele të reja hekurudhore nën Hudson dhe është e rëndësishme që tani të krijohet tuneli i lartpërmendur. “Angazhimi i senatorit Schumer për të siguruar fondet federale për ndërtimin e një hendeku të ri për tunelet e ardhshme është për çdo lëvdatë”, ka thënë Moss.

Debakli hekurudhor dikur kishte një zgjidhje: një tunel të ri, të quajtur ARC. Por, në vitin 2010, guvernatori i Nju-Xherzit, Chris Christie, e ka anuluar projektin prej 8.7 miliardë dollarësh, duke thënë se kishte frikë se shteti i tij do të duhej të mbulonte kosto të mëdha. Gjasat për dy tunele të reja tani për tani janë të paqarta, ka shkruar The Associated Press. Amtrak është duke punuar vetëm me 45 milionë dollarë të siguruar nga fondet federale për planifikim dhe parapërgatitje.