Tuberkulozi, sëmundja që kërcënon botën

Tuberkulozi, sëmundja që kërcënon botën

Tuberkulozi, sëmundja që kërcënon botën8,4 milionë persona preken në vit nga kjo sëmundje. Tuberkulozi, kërcënuesi i një të tretës së popullsisë botërore dhe një nga sëmundjet më të vjetra të historisë njerëzore, edhe sot e kësaj dite vazhdon të bëhet shkak i vdekjes së shumë personave.

Specialistët pohojnë se të sëmurët e kuptojnë vonë sëmundjen dhe shkojnë tek mjeku kur sëmundja ka avancuar shumë.

Kjo situatë ndikon në përhapjen e sëmundjes në të gjithë trupin dhe në shkatërrimin e organeve. Tuberkulozi i cili prek çdo vit 8,4 milionë persona formohet nga mikrobi i quajtur “Mycobacterium tuberculosis” dhe u ngjitet shpejt edhe njerëzve të tjerë. Sëmundja e tuberkulozit përhapet me anë të rrugëve respiratorë. Mikrobi përhapet në ajër kur i sëmuri kollitet, teshtin apo flet. Edhe individët e shëndoshë mund të preken nga këto grimca të përhapura në ajër. Por infeksioni nuk shfaqet tek çdo person i cili merr mikrobin.

Bacilet e marra mund të fshihen në trup pa e sëmurë personin dhe të shfaqen kur bie imuniteti i trupit. Periudha më e rrezikuar për zhvillimin e sëmundjes janë dy vitet e para. Mundësia e zhvillimit të sëmundjes gjatë dy viteve të para është 5 % ndërsa më pas është 10 %. Personat më të rrezikuar janë ata të cilët qëndrojnë vazhdimisht pranë të sëmurit, në të njëjtin ambient.

Mikrobi nuk ngjitet nëpërmjet lugëve, pirunëve, gotës, veshjeve apo çarçafëve. Shenjat e sëmundjes mund t’i ndajmë në dy grupe, shenja të përgjithshme dhe shenja të mushkërive. Shenjat e përgjithshme janë temperatura e lartë në darkë, djersitja natën, rënia në peshë, mungesa e oreksit dhe lodhje. Ndërsa shenjat më specifike janë kollitje që zgjat më shumë se dy javë, nxjerrje e sekrecioneve, pështymë me gjak, dhimbje në gjoks dhe vështirësi në frymëmarrje. Shqetësimet fillojnë gradualisht, kjo është dhe arsyeja e shkuarjes me vonesë tek mjeku.

Të sëmurët mund t’i lidhin këto shqetësime me shkaqe tjera. Kjo situatë ndikon në përhapjen e sëmundjes në të gjithë trupin dhe në shkatërrimin më të avancuar të mushkërive. Ndërkohë i sëmuri përhap mikrobin rreth e rrotull dhe shumë njerëz i ekspozohen rrezikut të sëmundjes. Prandaj është shumë e rëndësishme që personat të cilëve kollitja i zgjat më shumë se dy javë të vizitohen menjëherë tek një mjek specialist, transmeton Shekulli. Ditëve të sotme ka shumë ilaçe të forta të cilat mund të zhdukin bacilin e tuberkulozit.

Sot përdoren katër ilaçe për të luftuar mikrobet dhe parandaluar rezistencën që mund të shkaktojnë mikrobet. Koha e kurimit është gjashtë muaj. Pas dy muajve të parë të kurës ulet numri i ilaçeve të përdora. Në disa raste të veçanta mund të zgjatet koha e kurës. Është shumë e rëndësishme që ilaçet të merren rregullisht çdo ditë. Një kurë e rregullt mundëson edhe përmirësimin e të sëmurit edhe mban nën kontroll shëndetin e shoqërisë duke parandaluar përhapjen e shpejtë të tij.

Sëmundja kurohet me një kurë të rregullt të ilaçeve. Tek sëmundja e tuberkulozit gjëja më e rëndësishme është përdorimi i rregullt i ilaçeve. Një pjesë e të sëmurëve nuk arrijnë të shërohen plotësisht për shkak të mos-vazhdimit të kurës për 6 muaj me radhë.