“Trepça”, mollë sherri mes pozitës e opozitës

“Trepça”, mollë sherri mes pozitës e opozitës

“Trepça”, mollë sherri mes pozitës e opozitësNë seancën e re plenare, e cila do të mbahet të enjten, Kryesia e Kuvendit ka vendosur që në rend dite të jetë edhe shqyrtimi i projektligjit për Ndërmarrjet Publike, ku përfshihet edhe ‘Trepça’. Kundër këtij vendimi ka qenë opozita.

Shefja e Grupit Parlamentar Nisma për Kosovë, Valdete Bajrami ka thënë se opozita ka kërkuar që fillimisht të ketë debat për Trepçën, ashtu edhe siç kishte kërkuar kryeministri dhe më pas ky ligj të procedohet në Kuvend.

“Ne kemi pasur një kërkesë në mbledhjen e Kryesisë, që pika e 4 e rendit të ditës, pra shqyrtimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike të hiqet dhe të shtyhet për një javë tjetër. Qëllimi ynë ishte sipas kërkesës që gjatë protestës kryeministri dhe ministri i jashtëm kanë bërë që për Ligjin e Trepçës të ulet pozita dhe opozita dhe të bien në dakordim për pikat e përbashkëta. Për seancën e radhës ne këtë mirëkuptim nuk e gjetëm”.

Bajrami gjithashtu tha se ata nuk pajtohen me nenin 3 pikën 11.3 të këtij projektligji, pasi aty thuhet se mbikëqyrja e ndërmarrjeve publike do tu takojë komunave që ato u përkasin raporton Lajmi.net

“Ne duam që të kemi mbikëqyrjen mbi Trepçën, e jo të vendosin komunat, respektivisht neni 3 pika 11.3 është pengesa e jonë. Numri po vendos. Kjo po i bie që ne si opozitë edhe në seancë nëse e ngremë zërin, kemi vetëm 35 vota. 11.3 prapë do të procedohet dhe Trepça do të jetë në mbikëqyrje të komunave, gjë që ne jemi kundër”, tha Bajrami.

E shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri tha se për këtë nen do të duhet që qeveria ta qartësoj sa më mirë. Ai edhe njëherë përsëriti qëndrimin e tij se një ligj i veçantë për Trepçën është i nevojshëm, në mënyrë që të definohet statusi juridik i gjigantit.

“Pikë e veçantë do të jetë projektligji për ndërmarrje publike dhe me këtë po dëshmohet serioziteti i qeverisë, në kuptimin e dërgimit të atyre ligjeve që janë të rëndësisë së veçantë”.

“Për Trepçën duhet të jetë një ligj i veçantë, me çka rregullohet statusi juridik i këtij gjiganti”.

“Sigurisht edhe neni përkatës ku thuhet se pyeten komunat, do të sqarohet qartë sepse ajo s’ka të bëjë asgjë me Trepcën sepse ata që janë në komuna kanë probleme, besa e interpretojnë se janë centralizuar gjërat. Këtë e ka obligim ta sqaroj qeveria dhe ne deputët të kemi të qartë se çka mendohet me një nen të tillë”.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, duke u përgjigjur në kërkesën e opozitës, që së pari të ketë debat në mes pozitës dhe opozitës për Trepçën dhe më pas të procedohet ky projektligj në Kuvend, tha se është pikërisht Kuvendi aty ku do debatohet seriozisht dhe do merren vendime unanime.

“Ne kemi marrë një rekomandim nga komisioni përkatës për ta vënë në rendin e ditës. Është seanca plenare ku do të merren vendimet, ku do të jetë edhe debati. Unë besoj shumë se do të ketë një unanimitet edhe në atë vendim i cili do të jetë në interesin e zhvillimit ekonomik, në mënyrë të përgjithshme të ndërmarrjeve publike dhe në mënyrë të veçantë, pasi që shqetësimi i opozitës ishte tek gjiganti Trepça. Do të ketë vendim të përbashkët i cili do të jetë konform interesave të ndërmarrjeve publike dhe zhvillimit ekonomik por gjithsesi edhe të kombinatit Trepça”.

“Vendimi do të jetë në të mirën e Trepçës në të mirën e minatorëve. Ata duhet të jenë të sigurt se do të vazhdojnë punën e tyre, do të zgjerohen kapacitet e Trepçës dhe do t’i rikthehet shkëlqimi ekonomik të cilin e ka pasur gjiganti ekonomik Trepça”, tha Veseli.