Transfuzioni i gjakut, 4 fëmijë infektohen me SIDA
Transfuzioni i gjakut në spitalet publike është bërë shkak që katër fëmijë të preken nga HIV/AIDS. Kështu pohojnë specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, ndërkohë që gjithsej rezultojnë të prekur nga sëmundja e rëndë 26 fëmijë.
20 prej tyre e kanë marrë virusin nga nëna gjatë lindjes, ndërkohë që 6 prej tyre nga transfuzioni i gjakut. “Dy prej fëmijëve janë talasemike dhe e kanë marrë virusin sepse i nënshtroheshin transfuzionit të gjakut gjatë gjithë kohës, pra janë politransfuzuar.
Në rastet e tjera janë diagnostikuar prindërit, të cilët kanë rezultuar negativë ndaj virusit, dhe kjo do të thotë që ata janë infektuar gjatë jetës të tyre. Këto raste janë diagnostikuar vonë, dhe kjo tregon që vite më përpara, për shkak të problemeve që kanë pasur kanë marrë ose plagën, ose gjak, prandaj klasifikohen si të infektuar nga transfuzioni i gjakut.
Ne hapim kartelat dhe shikojmë se kur dhe si e ka marrë gjakun, por është e padiskutueshme që e kanë marrë përmes gjakut, pasi prindërit rezultojnë negativë”,- u shpreh në një prononcim për Gazetën, specialistja e Institutit të Shëndetit Publik dhe pjesë e Programit Kombëtar të HIV/AIDS-it, Marjeta Dervishi.
Gjithashtu, ajo bën me dije se për vitin 2011 u shënuan 3 raste të reja të të prekurve me HIV, ndërkohë që edhe pse kanë kaluar vetëm pesë muaj nga 2012-ta janë shënuar 2 raste të reja. Këto të fundit e kanë marrë virusin gjatë lindjes, pasi nëna e tyre ka qenë e infektuar. Sipas Dervishit, në total janë 513 raste të identifikuara HIV pozitiv, 70 % e të cilëve meshkuj dhe 30 % femra, ndërkohë që rasti i parë HIV pozitiv në vend u identifikua në vitin 1993.
Megjithatë, nga monitorimi “Parandalimi i transmetimit të HIV nga nëna tek fëmija në Tiranë, përmes rritjes së ndër-gjegjësimit të popullatës dhe fuqizimit të kësaj popullate për përdorimit e shërbimeve ekzistuese për kujdesin ndaj HIV”, rezulton se ka rritje të informacionit dhe ndikimi është pozitiv.
Kështu kanë deklaruar përfaqësues të Shoqatës së Personave që Jetojnë me HIV/AIDS. Këtë vit, një grua shtatzënë me HIV pozitiv ka arritur që ta lindë fëmijën e saj pa ia transmetuar virusin vitin e kaluar, ndërsa pak vite më parë një tjetër ka abortuar pikërisht për shkak të frikës së përcjelljes së virusit tek fëmija.