Hulian Rubio Sançez

Trajneri spanjoll largohet zyrtarisht nga Tirana

Tirana mbetet pa trajner. Rrugët e Hulian Rubio Sançez dhe klubit bardheblu janë ndarë zyrtarisht. Pas drekës së planifikuar me drejtuesit e klubit, tekniku spanjoll nuk ka pranuar kushtet e vendosura në kontratë dhe në këtë mënyrë largohet nga kryeqytetasit.

Largimi i Rubios nga Tirana nuk ishte i papritur, mbi të gjitha prej zvarritjes së çështjes së rinovimit të kontratës së teknikut, ku palët nuk arritën që gjenin akordin për klauzolën sipas të cilës klubi mund ti mbante trajnerit 20 për qind të rrogës, nëse skuadra nuk do të fitonte kampionatin.

60-vjeçari nuk do të jetë më në krye të skuadrës, ndërsa gjatë pasdites së të martës ai ia ka komunikuar vendimin skuadrës dhe është përshëndetur me të gjithë futbollistët.

Hulian Rubio mori drejtimin e Tiranës më 21 qershor të vitit 2011 dhe në harkun e 14 muajve ai arriti të fitonte tre trofe me skuadrën, dy Superkupa dhe një Kupë të Shqipërisë. Tashmë bardheblutë do të kërkojnë një trajner të ri, ku synimi është pista e drejtuesi të stolit nga jashtë vendit.

Në anën tjetër, përsa i takon Hulian Rubios, aventura e tij në Superligën shqiptare mund të vazhdojë të Flamurtari, me klubin vlonjat që kërkon ti besojë stolin, për të realizuar objektivin e fitimit të titullit kampion.