Foto: Ilustrim

Tragjedi në Shqipëri: 11 të vdekur

Foto: Ilustrim

Foto: Ilustrim

Gjashtë persona që po udhëtonin me një furgon të linjës nga fshati Shtrezë drejt qytetit të Kukësit humbën jetën dhe 7 të tjerë u plagosën rëndë në një aksident automobilistik në aksin rrugor Shishtavec-Kukës.

Aksidenti ndodhi në vendin e quajtur Ura e Topojanit. Automjeti raportohet të ketë dalë nga rruga rreth orës 6.45 minuta të mëngjesit të së shtunës, kohë në të cilën salla operative e policisë së Kukesit është njoftuar nga një kalimtar i rastit për aksidentin tragjik.

Viktimat, tha policia lokale, janë banorë të së njëjtës zonë, si edhe të afërm me njëri-tjetrin, ndërkohë që tre prej tyre janë nga e njëjta familje. Policia e Kukësit njoftoi se viktimat janë Fehim Biba 58 vjeç, Zykri Shehu 65 vjeç, Zamir Karanxha 42 vjeç, drejtuesi i mjetit Bashkim Çuni 21 vjec, kunata e tij Majlinda Çuni, e cila raportohet se ishte shtatëzënë dhe Meleqe Serani.

Katër nga të plagosurit, mes tyre vëllai i drejtuesit të mjetit, Xhevahir Çuni 22 vjec, Petrit Mustafa 30 vjeç, Hyrije Kovaçi 67 vjeçe dhe Rustem Biba 24, u përcollën për në Spitalin Ushtarak për shkak të dëmtimeve të rënda.

“Nga 4 të hospitalizuarit pranë qendrës së traumës, 3 janë në reanimacion, 1 në gjendje kritike. Dy prej tyre janë më mirë, por prognoza është e rezervuar, ndërsa gruaja është në kirurgji me dëme të lehta, jashtë rrezikut për jetën”, sqaroi Klodian Rrjepaj, zv.ministër i Shëndetësisë.

Tre të plagosur të tjerë, raportoi më vonë policia lokale, ishin transportuar për në spitalin e Kukësit nga banorë të zonës dhe gjendja e tyre konsiderohet jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Kukësit i tha Top Channel se drejtuesi i mjetit tip furgon me targë “AA 870 FY” ishte i pajisur me dokumentacionin përkatës, ndërkohë që besohet se ai mund të ketë humbur kontrollin nga ndonjë tërheqje e mundshme e vëmendjes, pasi sipas ekspertëve, nga këqyrja paraprake në mjetin e shkatërruar plotësisht përjashtohen dyshimet që automjeti të ketë qenë duke udhëtuar tej normave të lejuara të shpejtësisë.

Ekspertët shtuan se mjeti u gjet me marshin e dytë dhe me frena ngritur, çka lë në fuqi dy pista: ose atë të humbjes së vëmendjes nga shoferi; ose atë të një defekti teknik. Megjithatë, gjithçka pritet të zbardhet nga grupi i hetimit dhe nga dëshmitë e pasagjerëve që mbijetuan nga ky aksident tragjik.

Tjetër aksident rrugor, 5 të vdekur

Ngjarja në Sarandë. Viktimat nga përplasja e dy makinave

Një tjetër aksident tragjik u ka marrë jetën pesë personave në aksin nacional Sarandë-Qafë Botë. Dy automjete janë përplasur ballë përballë me njëra-tjetrën në vendin e quajtur Ura e Bogozës.

Viktimat e aksidentit, sipas policisë, janë Petro dhe Kristo Meçi, Fejzo dhe Krenar Sulo, si dhe Taip Madani. Të pestë burrat po udhëtonin në dy automjete të ndryshme, njëri tip “Alfa Romeo” me targë “AA 493 IE” dhe tjetri tip “Reno” me targë “AA 875 GB”, thotë policia rrugore e Sarandës.

Policia po bën këqyrjen e vendngjarjes për të konkluduar në shkaqet e aksidentit, ndërkohë që dyshohet se një ndër faktorët e përplasjes është edhe qarkullimi tej normave të lejuara të të dyja mjeteve që ishin me sens të kundërt.

Policia paraprakisht thotë për Top Channel se njëri nga automjetet që drejtohej nga i ndjeri Taip Madani dyshohet se ka hyrë në korsinë tjetër, çka mendohet se ka sjellë edhe aksidentin tragjik.

Policia tha gjithashtu se Madani po kthehej nga ceremonia mortore e një të afërmi, ndërkohë që automjeti tjetër me të cilin u përplas po udhëtonte drejt pikës kufitare të Qafë Botës për të pritur trupin e një familjari tjetër të pajetë që kishte ndërruar jetë në Greqi.

Policia shtoi se pistë tjetër për shkaqet se si ka ndodhur aksidenti pritet të përcaktohen në raportin autoteknik të ekspertëve të qarkullimit rrugor, ndërsa paraprakisht dyshohet si faktor shtesë në përplasjen tragjike edhe lagështira në rrugë./ Top Channel/