“Trafikohen” mbi 60 mijë placenta të nënave kosovare

“Trafikohen” mbi 60 mijë placenta të nënave kosovare

Ajo ka lindur pak para mesnatës. Ka bërë djalë. Krejt çka i interesonte ishte që foshnja e saj me moshë normale të niste jetën mirë. Nga trupi i saj ka dalë edhe ani, në të cilin djali i është formuar e zhvilluar për nëntë muaj rresht. Se çka ka ndodhur me të nuk di asgjë. Madje as që i ka interesuar.

“Nuk e di çka ka ndodhur me placentën e bebes sime. Me siguri ka përfunduar në bërllok”, thotë kjo nënë, që nuk dëshiron t’i përmendet emri në gazetë, shkruan Koha Ditore e së premtes.

Në fakt, placenta e saj mund të ketë përfunduar në tregjet evropiane. Atje ka vlerë monetare deri në 200 euro. Përdoret si lëndë e parë për përpunimin e ilaçeve e kremrave të ndryshme. Në tregjet ndërkombëtare dyshohet se kanë shkuar në mënyrë klandestine 36 mijë e 101 kilogramë placenta të nënave kosovare në një periudhë kohore prej vitit 2000 deri në vitin 2005.

“Koha Ditore” ka siguruar raporte të brendshme nga QKUK-ja që flasin për zhdukjen e mijëra kilogramëve placenta për pesë vjet rresht. Një raport i brendshëm i kontrollit në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë, si dhe dëshmitë e zyrtarëve të tjerë të kësaj klinike, që kanë preferuar të mbesin anonimë, tregojnë se ka pasur keqpërdorime lidhur me menaxhimin e placentave të dedikuara për asgjësim. Në vend të djegies së tyre, siç parashihet me ligj, ato kanë gjetur rrugë që nga Kosova të shiten në tregjet evropiane.

Sipas këtyre raporteve, një sasi e placentave nuk është asgjësuar, por është keqpërdorur për qëllim të përfitimit nga zyrtarët e lartë të Klinikës së Gjinekologjisë nga viti 2000 deri në vitin 2005. Për këtë periudhë kohore nuk ekzistojnë shënime mbi asgjësimin e placentave.

Numri i lindjeve gjatë pesë vjetëve është 60 mijë e 169 lindje. Pesha e një placente është 600 gramë. Pesha e përgjithshme e kësaj sasie është 36 mijë e 101 kilogramë. Sipas raportit, nga viti 2006 deri në vitin 2009 në Klinikën Gjinekologjike kanë ndodhur 53 mijë e 126 lindje. Prej tyre vetëm 25 mijë e 440 placenta janë asgjësuar, ndërsa 27 mijë e 686 të tjera nuk dihet se ku kanë përfunduar.

Numri i përgjithshëm i placentave të paasgjësuara është 87 mijë 855. Kur kjo shumëzohet për 600 gramë për copë, pesha e tyre arrin në 52 mijë e 713 kilogramë, për çka nuk ka shënime dhe nuk dihet se nga kanë shkuar.

Për këto keqpërdorime disa vjet më herët kishte hetuar Policia e UNMIK-ut. Në krye të hetimeve gjatë viteve 2005-2006 ishte Richard Stivens, ish-drejtor kundër krimeve të rënda ekonomike. Stivens pas Policisë ishte punësuar si drejtor në Departamentin Kundër Mashtrimeve në PTK, pak kohë pasi kishte udhëhequr hetimet në rastin e Bankës Kreditore të Prishtinës. Në këtë bankë ishin të deponuara 15 milionë euro të PTK-së.

Sipas burimeve, dosja ishte kallëzimi penal dhe ishte kundër disa zyrtarëve të kësaj klinike, por nuk kishte ecur më tej. Më vonë ajo është zhdukur krejtësisht. Kjo dosje nuk është as në Policinë e Kosovës, as në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë e as në EULEX.

Rasti, ndërkaq, pritet të rihapet sërish. Në të është përfshirë prokurori kanadez, Jonatan Ratel, që po udhëheq rastin e klinikës “Medicus”. Burime nga EULEX-i kanë thënë se ai ka urdhëruar hetuesit që të mbledhin prova për keqpërdorimet me placenta në Qendrën Klinikë të Kosovës.

Gazeta ka siguruar një përgjigje të një zyrtari të EUELX-it i quajtur Miroslav Rybacek, i cili konfirmon se në misionin e Bashkimit Evropian nuk ka asnjë dosje lidhur me placentat. Sipas Policisë së Kosovës, dyshohet se rasti është asgjësuar nga ish-zyrtari amerikan, Richard Stivens, i cili aktualisht jeton në Kubë.

Sipas raporteve që ka siguruar gazeta, Qendra Klinike Universitare e Kosovës është drejtuar nga ndërkombëtarët nga viti 1999 deri në vitin 2001. Pas vitit 2001 e deri më sot janë ndërruar shumë borde dhe drejtorë ekzekutivë. Sipas burimeve, të përfshirë për përfitime nga shitja e placentave dyshohet se janë Sejdullah Hoxha, ish-drejtor i Klinikës Gjinekologjike nga viti 1999 deri në vitin 2005, Shefqet Lulaj, drejtor nga viti 2005, S.H, shefe e sallës së lindjes në Klinikën Gjinekologjike nga viti 2000, I.L, kryeinfermiere në sallën e lindjes në Klinikë nga viti 2000, dhe B.H, pastruese në sallën e lindjes.

Burime nga Prokuroria, ndërkaq, thonë se me shitjen e këtyre placentave janë kryer vepra penale, krim i organizuar, veprimtari e paligjshme ekonomike, shpërdorim i pozitës zyrtare, përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës dhe bashkëveprim.

Gazeta ka arritur të kontaktojë të premten Sejdullah Hoxhën dhe Shefqet Lulajn, por asnjëri nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje. Lulaj, drejtor i Klinikës së Gjinekologjisë, ka këshilluar që të mos merret gazeta me këtë punë.

“Mos u merrni me sene të kota, se nuk janë ato sene që duhet me u marrë shtypi me to. Janë hetuar ato edhe para meje, pa qenë drejtor, edhe kur kam qenë unë, edhe kur kanë qenë të tjerët. Nuk ka kurrgjë në ato sene. Ato janë sene të kota”, ka thënë ai.

Drejtori i QKUK-së, Nijazi Gashi, nuk e ka hapur telefonin, derisa të dyshuarit e tjerë gazeta nuk ia ka arritur t’i kontaktojë.

Placentat në Kosovë është e ndaluar të shiten. Ligji për mbeturina sanksionin asgjësimin e tyre. Drejtori i Shërbimeve Teknike në QKUK, Islam Krasniqi, ka thënë se deri para një viti është bërë djegia e tyre në temperaturë mbi një mijë gradë, ndërsa tash groposen sikurse mbetjet e tjera patologjike, siç janë copa duarsh e këmbësh të amputuara.

“Ato groposen në deponi me firmën e pastrimit ‘Prishtina’. Kjo firmë ka kontratë me ‘Hortikulturën’, e cila e bën menaxhimin e deponisë qendrore të mbeturinave dhe atje bëhet gropimi dhe mbulimi i tyre”, ka shpjeguar Krasniqi.

“Kjo procedurë bëhet me procesverbal, tubohen në Klinikën e Gjinekologjisë, ne shkojmë i marrim, i peshojmë dhe me anëtarë të komisionit, tre prej Klinike dhe një i yni, i marrim dhe e bëjmë asgjësimin e tyre”, ka thënë ai.

Placenta, që njihet ndryshe edhe si shtrat i fëmijës, është organ që krijohet në uterus gjatë shtatzënisë. Ka rol të shumëfishtë gjatë shtatzënisë. Funksioni kryesor i këtij organi është se gjatë graviditetit mundësohet metabolizmi në fryt. Përmes saj fryti furnizohet me oksigjen dhe me materie ushqyese nga organizmi i nënës, e po ashtu përmes placentës fryti liron dyoksid karbon me produkte të tjera zbërthimi.

Tregtia me placenta zhvillohet edhe në vende të tjera. Kina komuniste është njëra ndër këto vende. Spitalet shpeshherë atje ua shesin ato blerësve të paskrupullt, të cilët i shndërrojnë në medikamente kineze në formën e supave apo ushqimeve të tjera.

Disa njerëz i shesin dhe i blejnë ato nëpërmjet internetit, njësoj sikurse rrobat apo librat, edhe pse një gjë e tillë është ilegale.

Në Kinë njerëzit i kanë shfrytëzuar placentat për shkaqe shëndetësore për mbi 2.200 vjet. Madje edhe perandori i parë kinez i ka përdorur për disa arsye. Në disa libra tradicional mjekësorë kinezë, si “Compendium of Materia Media” shkruar nga Li Shizhen rreth 400 vjet më parë, placenta përshkruhet si shumë e dobishme për përmirësimin e imunitetit dhe ndalimin e plakjes.

Në ditët e sotme placenta përdoret për të përgatitur supë dhe një lloj brumi, edhe pse ekspertët paralajmërojnë se konsumimi i kësaj pjese të trupit njerëzor mund të shkaktojë infeksione, në rast se placenta nuk është ruajtur në mënyrë të duhur.

Varrimi i placentave është dukuri e zakonshme në shumë kultura. Në një numër shtetesh, si Keni, Malajzi dhe Nigeri, placenta konsiderohet si binjakja e foshnjës dhe varroset me rituale të zakonshme. Në Meksikë, Nepal dhe Zelandë të Re, placenta shihet si shoqëruese apo mike e bebes dhe varroset. Në kulturat moderne perëndimore, varrimi i placentave është çështje kryesisht personale.

Në Kosovë, ndërkaq, placenta nuk lidhet asgjë me kulturën. Me ligj asgjësimi i saj bëhet ose në kremator ose groposet. Nëna që nuk ka dashur t’i përmendet emri në gazetë nuk di asgjë për vlerën e saj. Thotë se as nuk është interesuar.

“Të them të drejtën as që më ka interesuar. Nuk e di nëse ka ndonjë vlerë, e as nuk kam dëgjuar e as lexuar asnjëherë për një gjë të tillë”, thotë ajo./koha/