Topalli vizitë në Maqedoni
Me ftesë të Kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski, nesër (3 prill), kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli mbërrin për një vizitë zyrtare në Shkup.
Në ditën e parë të vizitës së saj, Topalli do të takohet me Kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, si dhe me Kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi. Pas këtyre takimeve Topalli do të vizitojë Shtëpinë muze të Nënë Terezës, Komunën e Çairit si dhe do të ketë një darkë pune me Zv/Kryeministren për Eurointegrime, Teuta Arifi, raporton INA.
Në ditën e dytë të vizitës Toalli dhe deputetët që e shoqërojnë do të priten në një takim zyrtar nga Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanoski, kurse më pas Topalli do të mbajë një fjalë përshëndetëse para deputetëve të Maqedonisë.
Përveç takimit me deputetët e grupit të miqësisë Maqedoni-Shqipëri, Topalli do të takohet edhe me një grup të grave deputete si dhe në vijim do të ketë takim me Kryeministrin Nikola Gruevski dhe Presidentin, Gjorgje Ivanov.