f.0731102904511_m

“Titan Group” akuzohet për çmim damping

Importuesit e çimentos kanë raportuar se dy fabrikat që janë në pronësi të “Titan Group” që gjenden në Shqipëri dhe në Maqedoni e kanë ulur çmimin e çimentos për të paktën 20 për qind. Kjo ulje, sipas tyre, përbën çmim damping. Ata po planifikojnë t’i drejtohen Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Doganave për të bërë një hetim për çmim damping dhe dëmtim të konkurrencës.

Po ashtu një ankesë për dëmtim të konkurrencës do ta bëjnë edhe në Autoritetin e Konkurrencës në Kosovë. Besim Gashi, pronar i kompanisë “Besimi Commerce”, i cili është importues i çimentos nga fabrika e çimentos Fushë-Krujë, ka thënë se me këto lëvizje të çmimeve po dëshirohet të arrihen dy rezultate, shkruan Koha Ditore.

E para, sipas tij, përmes uljes së çmimeve grupi “Titan” po tenton të marrë komplet tregun e Kosovës në mënyrë që mos të ketë prodhim tjetër të çimentos.

“Pasi që të falimentojë fabrika në Fushë-Krujë, ose pasi që të marrë në tërësi tregun, “Titani” do të luajë me çmimet e veta, duke i bërë edhe 105 euro për ton”, ka thënë Gashi.

“Ne nuk do të luajmë me çmime, as nuk kemi luajtur as më parë. Tashmë po shihet se si ‘Titan Group’ që e ka në pronësi ‘SharrCemin’ më parë e ka shtrenjtuar çmimin gjatë kohës së bllokadës së importit, e tash çmimi i çimentos ka rënë dukshëm”, ka thënë Gashi.