Tiranë: TKOB çel sezonin e ri

Tiranë: TKOB çel sezonin e ri

Teatri i Operas dhe Baletit çeli sezonin e ri artistik. Me rastin e javës së Budapestit në Tiranë, shfaqja e parë e përzgjedhur për publikun ka qenë një diptik muzikor nga opera e pare dhe baleti më i njohur hungarez, raporton TCH.

Kori i burrave i Teatrit të Operas, solistja shqiptare Ardita Meni dhe solisti hungarez Gergely Boncser interpretuan pjesë të përzgjedhura nga opera “Huniadi Lázló”, e cila shënoi një fillim të ri, atë të operas kombëtare hungareze.

Një prej pjesëve më të veçanta të shfaqjes ka qene baleti “Mandarini i Mrekullueshëm” me muzikë të Bela Bartok. Solistja Enada Hoxha, e shoqëruar nga Gerdi Vaso dhe trupa e baletit, kanë performuar nën tingujt e veçantë, koreografinë e vështirë por edhe tepër të bukur të krijuar nga David-Miklos Kerenyi.

Drejtimi i orkestrës së Teatrit të Operas dhe Baletit i është besuar dirigjentit hungarez Imre Kollar, një prej emrave më të njohur të fushës së muzikës në vendin e tij, si dhe fitues i çmimeve të shumta. Shfaqja do të vazhdojë të jepet përgjatë kësaj fundjave për publikun e kryeqytetit.