(u40u)Feith hashim thaqi

Thaçi: Unë nuk e dëgjoj Feithin

Kryeministri Hashim Thaçi e ka vlerësuar të panevojshme ndërhyrjen që mbikëqyrësi ndërkombëtar i pavarësisë, Pieter Feith e ka bërë në rastin e përzgjedhjes së guvernatorit të vendit.

Në pjesën e dytë të intervistës për Kohën Ditore, ai ka folur gjerë e gjatë për marrëdhëniet e tij me përfaqësuesin civil ndërkombëtar. Thaçi e ka ftuar Feithin që përgjigjen e pyetjes pse Prokuroria Speciale e Kosovës deshi ta hetonte, ta gjejë në “shtëpinë ku jeton” e jo gjetiu.

Kryeministri e ka pranuar se në raste të caktuar nuk është pajtuar me qasjet e Feithit, ashtu sikur Feith nuk është pajtuar me qasjet e tij. Ai ka thënë se tekefundit nuk është i thirrur për ta dëgjuar diplomatin holandez , por për ta qeverisur vendin.

ICO-ja, sipas tij ka bërë gabime edhe sa u përket mosveprimeve në veri të vendit, ashtu sikur që ka mund të ketë bërë gabime edhe vetë Qeveria. Por, ai është shprehur optimist se kjo ICO-ja, është duke e përfunduar mandatin e vet, dhe se Feith do të jetë shefi i parë dhe i fundit i mbikëqyrjes së pavarësisë.

Nuk ka folur me emra, por ka thënë se ka ndërkombëtar me influencë, që nuk janë ambasadorë, e që ndërhyjnë në sistemin e drejtësisë.

Shefi i ekzekutivit, nuk është rezervuar nga kritikat as për EULEX-in. Ai ende vazhdon të besojë se ndërhyrja e EULEX-it në Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit, kur ajo është drejtuar nga ish ministri, Fatmir Lumah ka qenë e motivuar politikisht nga ndërkombëtarët me influencë në Kosovë.

“Ndërhyrja në Ministrinë e Transportit ka qenë plotësisht e motivuar politikisht nga ndërkombëtarët. Por jo nga ndonjë ambasador”, ka thënë ndër të tjera Thaçi.