Thaçi u kërkon pesë vendeve të BE-së të njohin Kosovën

Thaçi u kërkon pesë vendeve të BE-së të njohin Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë dhënë gazetës britanike “Times”, u ka bërë thirrje pesë vendeve anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë gjë pas vlerësimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e saj dhe ka shfaqur shpresën se BE do të jetë unike kur bëhet fjalë për Kosovën.

Siç transmeton radio BBC, “Times” thekson se kjo është intervista e parë e kryeministrit të Kosovës pas shpalljes së vendimit këshillëdhënës të GJND-së, në të cilin pavarësia e Kosovës vlerësohet se nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

“Refuzimi i tyre ta bëjnë këtë pas vendimit të gjykatës në Hagë është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe padrejtësisht e pengon Kosovën të arrijë prosperitetin”, i ka thënë kryeministri Thaçi gazetës “Times”.

“Pres qëndrim unik të BE-së kundruall Kosovës. Spanja, Greqia dhe vendet e tjera që nuk na kanë njohur më parë na kanë thënë se po presin qëndrimin e GJND-së dhe ai tani është fare i qartë”, është shprehur Thaçi, duke shtuar “se nuk mund të pres nga Serbia ta njohë Kosovën para se këtë ta bëjnë Spanja dhe Greqia”.

“Times” shkruan se këtë thirrje të kryeministrit të Kosovës e ka mbështetur edhe ministri britanik i Punëve të jashtme, William Hague, i cili shmangien e shpërthimit të ndonjë krize në Ballkan e ka shpallur si një prej prioriteteve të tij, thekson BBC.