Thaçi – shefi i Presidencës?

Thaçi – shefi i Presidencës?

Thaçi – shefi i Presidencës?Hashim Thaçi ka deklaruar se nuk do të kandidojë më për postin e Kryeministrit, duke hapur kështu dilema rreth të ardhmes së tij politike. Në PDK nuk japin përgjigje se ku do të vazhdojë karrierën shefi i tyre. Por, analistët parashikojnë se lideri i PDK-së do të shkojë në postin e Presidentit ose do të tërhiqet përkohësisht nga politika.

As zyrtarët e PDK-së nuk e dinë se ku do të vazhdojë karrierën politike Kryeministri aktual, Hashim Thaçi, shkruan “Express”.

Lideri i PDK-së ka thënë se nuk do të kandidojë më për të udhëhequr Qeverinë, por nuk ka treguar se a do të vazhdojë të mbetet në politikë apo do të pushojë përkohësisht.

Zyrtarët e PDK-së thonë se përgjigjen se çka do të bëjë Thaçi duhet kërkuar tek vetë ai.

“Veç Kryeministri e di atë përgjigje”, ka thënë anëtari i Kryesisë së PDK-së Adem Grabovci, kur është pyetur se ku do të shkojë Kryeministri pasi ta përfundojë mandatin.

Në një intervistë për mediet e shkruara, lideri i PDK-së ka konfirmuar se nuk do të jetë më Kryeministër i Kosovës.

Për dallim prej zyrtarëve PDK-së, analistët politikë tregojnë se kryeministri aktual ka dy opsione para vetës – të shkojë në Presidencë ose të pushojë përkohësisht nga politika, në mënyrë që të shpëtojë i pastër nga skena aktuale politike e përfshirë në skandale.