Thaçi e Daçiqi s’merren vesh për telekomin e energjinë

Thaçi e Daçiqi s’merren vesh për telekomin e energjinë

Thaçi e Daçiqi s’merren vesh për telekomin e energjinëKa përfunduar takimi ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, përkaktësisht Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, që u ndërmjetësua nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evripan për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë në Bruksel se është bërë përparim i rëndësishëm në sektorët e telekomunikacionit dhe energjisë. Sipas tij, kanë mbetur vetëm disa elemente të vogla për ta finalizuar këtë çështje.

Kurse, kryeministri serb, Ivica Daçiq ka deklaruar se bisedimet me Kryeministrin kosovar, Hashim Thaçi kanë qenë shumë të vështira, por është arritur përparim i theksuar në të gjitha çështjet e hapura.

Sipas tij, me gjithë përparimin, kanë mbetur çështje të pazgjidhura sa i përket telekomunikacionit, energjetikës dhe Ligjit për amnisti.

Në deklaratën e saj për media, pas takimit, Ashton theksoi se ”pas vendimit historik të Këshillit Evropian në Qershor, për hapjen e bisedimeve për pranim me Serbinë dhe fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim – Asocimit me Kosovën, ne shikojmë hapat e ardhshëm të implementimit”.

Ajo ka theksuar se ”është e rëndësisë madhore që puna në implementim të vazhdoj gjatë javëve dhe muajve, ashtu siç parashihet me Planin e implementimit” dhe ka shtuar se “është e kënanqur që të dy kryeministrat e konfirmuan përkushtimin e tyre për këtë qëllim”.

Sipas njoftimit për media, që e ka dërguar Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Ashton, “tekstet për telekom dhe energji pothuajse janë finalizuar” dhe se “diskutimet për këto tekste do të vazhdojnë gjatë ditëve të ardhshme”, derisa Catherine Ashton do të udhëtojë në Beograd dhe Prishtinë.

Bisedimet për këtë çështje do të vazhdojnë gjatë vizitës së Catherine Ashtonit nesër në Beograd dhe pasnesër në Prishtinë. Është paralajmëruar se raundi i ardhshëm i dialogut do të mbahet më 24 korrik në Bruksel.