Thaçi e Daçiç

Thaçi e Daçiç vazhdojnë sot dialogun në Bruksel

Thaçi e DaçiçKryeministri i Kosovës dhe ai i Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq do të takohën sot në  Bruksel raundin e 14 të bisedimeve me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.

Zbatimi i marrëveshjeve, diskutimi për organizimin e zgjedhjeve lokale, me theks të veçantë në  komunat në veri të Kosovës si dhe formimi i bashkësisë së komunave serbe, pritet që të dominojnë axhendën e takimit Thaçi-Daçiç.

Një ditë më parë  kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se ai dhe qeveria që drejton do të jenë afër qytetarëve të Kosovës si në jug ashtu edhe atyre në veri.

Edhe kryeministri  serb Ivica Daçiç ka theksuar se tema e zgjedhjeve do të trajtohet në takimin e sotëm. Përveç çështjeve politike, kryeministrat Thaçi e Daçiç pritet të diskutojnë sërish edhe çështjen e telekomit dhe energjisë.

Bisedimet në nivel të kryeministrave si dhe ato në nivele teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, pritet të jenë intensive gjatë gjithë verës.

Tahiri: Negociatat nuk do të dështojnë

Ndërkohë, Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se Thaçi në këtë takim do ta kërkojë përshpejtimin e zbatimit të marrëveshjes së marrëdhënieve me Serbinë.

Në këtë kontekst, Tahiri ka vlerësuar se në këtë fazë është shumë i rëndësishëm angazhimi i BE-së për vlerësimin e dinamikave të zbatimit të marrëveshjes.

Pavarësisht tendencave të Serbisë për ta zvarritur implementimin e marrëveshjes, Tahiri ka deklaruar se procesi i normalizimit mes dy shteteve nuk do të dështojë.

Sipas saj, idetë e Beogradit që serbët e veriut të përfshihen në një “listë të përbashkët zgjedhore”, nuk janë aspak demokratike.

“Thirrjet për lista unike zgjedhore u ngjasojnë kohëve të kaluara dhe sistemeve të kaluara”, ka thënë Tahiri.