atifete-jahjaga-ilir-deda

Terri informativ i Presidencës së Kosovës

Ilir Deda, Këshilltar i Lartë Politik dhe Shef i Stafit të Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka qenë njeriu më i papërgjegjshëm në hierarkinë institucionale në ditën e parë të operacionit të madh të Qeverisë së Kosovës në veri të vendit.

Ai, në ditën kritike, nga plazhet e Budvës ua ka bërë ”block” të gjitha informacioneve që, me destinacion Presidencën e Kosovës, i janë adresuar atij nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Kjo papërgjegjësi e ka historinë e saj…

Të gjithëve iu ka bërë përshtypje reagimi shumë i vonshëm i Presidencës së Kosovës, në ditën kritike të ndërmarrjes së operacionit të qeverisë për futjen nën kontroll të pikave kufitare 1 dhe 31, në veri të vendit.

Presidentja Jahjaga ka reaguar më shumë se 24 orë me vonesë dhe vetëm pasi që në zyrën e saj kanë shkuar zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, për t’ia kujtuar se duhet të prononcohet.

Sipas burimeve të Portalit LajmeShqip.com, këtë e ka bërë vetë Zv/kryeministri Hajredin Kuqi, njëherit ministër i Drejtësisë. Ai, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të Thaçit, ka trokitur në selinë e Jahjagës, për t’ia kujtuar se presidenca duhet të flasë, derisa Republika e Kosovës ka ndërmarrë aksionin më të rëndësishëm që prej formimit të institucioneve.

Burime të sigurta të Portalit bëjnë të ditur se, Presidentja Jahjaga e kishte pasur përgjigjen e saj në krejt këtë. “Asnjë informatë s’ma keni përcjellë, zyrtarisht dhe konform rregullave, rreth rrjedhës së operacionit, deri më tani. Ecurinë e tij kam kuptuar vetëm nga mediat”, i ka thënë Kuqit e para e Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, Qeveria e Kosoës i ka sqaruar Presidentes Jahjaga, se të gjitha informatat janë adresuar me kohë dhe përmes rrugës zyrtare, në telefonin dhe adresën e Këshilltarit të saj të Lartë Politik, Ilir Dedës. Por, Deda, gjendej në brigjet e Adriatikut, dhe nuk kishte denjuar ta përqëndrojë vëmendjen aty ku atë ditë po përqëndrohej e tërë Kosova dhe Evropa në Pikat kufitare 1 dhe 31.

Detaji domethënës ka mundur ta lëkundë skenën politike dhe stabilitetin e Qeverisë së Kosovës, në orët më kritike, derisa aksioni i 25 korrikut ishte duke ndodhur.

Burime të Portalit LajmeShqip.com bëjnë të ditur se komunikimi për njoftimin e Presidencës nga Qeveria e Kosovës gjatë 48 orëve të para të aksionit të 25 korrikut ka qenë në momente kritike, për arsye se këshilltari i parë i Presidentes ka qenë në pushime dhe nuk e ka parë të rrugës të kthehet menjëherë në Kosovë.

Burime brenda Presidencës së Kosovës bëjnë të ditur se këshilltari Ilir Deda, së paku gjatë 48 orëve të aksionit ka qëndruar në pushime dhe nuk e ka parë të arsyeshme të kthehet për të raportuar tek presidentja.

Madje, burimi thotë se për pak sa nuk ka pasur edhe reagim publik nga presidentja për “injorimin” që i është bërë nga Qeveria, sepse nuk ka qenë thuajse aspak e informuar me atë se çka ka ndodhur në aksionin e ndërmarrë nga Kryeministri Thaçi për të kthyer rendin dhe Ligjin në Veriun e Kosovës. Kjo lë të kuptohet se Ilir Deda informatat që i ka përcjellë qeveria, nuk ia ka përcjell Presidentes Jahjaga.

Burimi tjetër konfirmon se qeveria ka raportuar sipas Ligjit dhe obligimit. Raportimi nga Qeveria është bërë përmes Vlora Çitakut, ministre e Ministrisë së Integrimeve të Republikës së Kosovësm e cila rregullisht dhe vazhdimit e ka njoftuar Dedën, si Këshilltarin e parë të Presidentes Jahjaga.

Por, ai, nga plazhet e Budvës, nuk i ka çuar në vend informatat dhe gjithçka është pasuar me një konfuzion e paqartësi të thellë, me moskomunikim ndërmjet dy institucioneve të vendit, në ditën e mobilizimit të madh. (LajmeShqip.com