Tension në burgun e Dubravës

Tension në burgun e Dubravës

Tension në burgun e DubravësKëshilli i të burgosurve në burgun e Dubravës, njofton se brenda këtij institucioni është ngritur tension i madh në mesin e të burgosurve, që janë të pakënaqur me vendimin e fundit të presidentes, e cila me rastin e përvjetorit të pavarësisë me dekret liroi vetëm dy të dënuar, raporton KTV.

Ky këshill është i pakënaqur me vendimin e presidentes. Në komunikatën që ka nxjerrë ky këshill, thuhet se tash e tutje nuk merr përgjegjësi për veprimet e të burgosurve në ditët në vijim. Kjo situatë, thotë Këshilli, është krijuar pasi presidentja Jahjaga nga 515 kërkesa aprovoi vetëm 2 për falje.

Me Ligjin për amnisti jemi ndarë të zhgënjyer, ngase Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, përdori standarde të dyfishta për veriun dhe jugun e vendit, me ç’rast vetëm një i dënuar përfitoi nga ligji.

Jemi të vetëdijshëm që kemi rënë ndesh me ligjin, por në Kosovën e pasluftës shumë faktorë kanë ndikuar që ne të bëjmë një vepër të tillë. Andaj besojmë se kemi të drejtë për një shans të dytë për jetë”, thuhet në deklaratën e Këshillit të të burgosurve të Dubravës.

Vendimin e presidentes për të falur vetëm dy të dënuar, e kritikoi edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.