Të enjten serishtë në votim Projektligji për amnistinë

Të enjten serishtë në votim Projektligji për amnistinë

Të enjten serishtë në votim Projektligji për amnistinëKryesia e Kuvendit të Kosovës vendosi sot të çojë për votim në seancën e së enjtes të Kuvendit Projektligjin për amnistinë, i cili javën e shkuar nuk mori numrin e nevojshëm të votave të deputetëve. 

Kryekuvendari,  Jakup Krasniqi, tha pas mbledhje se Kryesisë, se u mbetet deputetëve të vendosim me dy të tretat e votave, nëse ky ligj do futet në rend dite.

Me vendim të Kryesisë së Kuvendit, pa nenin tre dhe me disa ndryshime të tjera, Projektligji për amnistinë, do t`ju mbetet deputetëve që të vendosin me dy të tretat e votave, nëse ai do të shkojë në shqyrtim të parë, në seancën e së enjtes. Ky Projektligj, që buron nga Marrëveshja mes Prishtinës e Beogradit, për kreun e Kuvendit, Jakup Krasniqin, duhet të jetë shumë më i qartë se kujt i dedikohet.

Në mbledhjen e Kryesisë ai mori vizën me dy vota kundër – të Glauk Konjufcës e të Visar Ymerit të Vetëvendosjes, dhe kundërshtimit nga Sabri Hamiti i LDK-së.

“Kërkesa ime do të ishte që të thuhet saktë se pse po bëhet dhe kujt po i kushtohet më tepër ky ligj, e  jo të shkojë si një ligj që duhet për amnistinë e përgjithshme. Unë mendoj që këtu ka dallime, megjithatë janë deputetët  ata që vendosin për të shkuar më tej ose për të kërkuar plotësime dhe rishikime të reja”, ka thënë Krasniqi.

Por, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, vlerëson se ky projektligj është në dobi të procesit. “Unë personalisht mund të deklaroj se është në dobi të procesit edhe nëse nuk bëjmë zgjidhjen përfundimtare. Por, do t`i ndihmojmë përfundimit të suksesshëm të procesit dhe të sigurisë territoriale të sovranitetit të vendit”.

Në seancën e kaluar të Kuvendit, me 70 vota për, 21 kundër dhe 2 abstenime, nuk ka arritur të kalojë në lexim të parë ky projektligj, pasi që janë dashur 2/3 e votave të deputetëve. Kurse gjatë debatit një pjesë e deputetëve kanë kërkuar heqjen e nenit 3 nga ky projektligj, që është bërë nga Qeveria.