dushi

Të afërmit e Viktor Gushit: Dyshojmë se vari njërin në ’97

Bashkëmoshatarët e kushërinjtë e Viktor Gushit i gjetëm në një lokal, vetëm 150 metra larg banesës ku ata kanë jetuar familjarisht, por që prej afro shtatë vjetësh nuk jeton njeri.

Pyetjes sonë, se a kishin dijeni që ishte arrestuar Viktor Gushi, ata iu përgjigjën se e kishin marrë vesh nga televizioni “News 24”. “U habitëm, sepse po komentohej shumë, sikur ka kryer mbi pesë vrasje, nuk e dimë se sa e vërtetë është kjo. Çdo gjë do merret vesh në ditët në vijim”, – thanë ata gjatë bisedës që zhvilluam me ta.

Çifti Kozma dhe Sofie Gushi kanë katër djem dhe një vajzë, të gjithë të martuar, përveç Viktorit, i cili është ndarë para vitit 1997-të. Pas vitit 1992 djemtë dhe vajza kanë emigruar në Greqi. Babai i tij Kozmai, ka qenë njeri i nderuar në fshatin Dukas Çoban, që ndodhet vetëm 3 km larg qendrës së Patosit. “Kozmai ka rreth 10 vjet që ka vdekur, pasi ishte i sëmurë nga kanceri në kockë”, – pohuan kushërinjtë dhe disa shokë të Viktorit.

Ata tregonin se ka qenë djalë i qetë e i shoqërueshëm. Nga biseda me të tjerë djem bashkëmoshatarë me të, mësuam se Viktori është përfolur se në 1997-ën ka varur një djalë nga fshati i tij Dukas Çoban. “Se sa e vërtetë është kjo, nuk e dimë shumë saktë, por është folur shumë në ato vite që Viktori e vari, sepse ai u gjet i varur me litar në një degë peme”, – rrëfejnë banorët.

ARRESTIMI

Vetëm 48 orë pas ngjarjes së rëndë, ku humbi jetën arkëtarja Leonora Kaloçi dhe mbeti i plagosur roja i Sigurisë, Skëndër Elmazi, Policia e Tiranës ka arritur të arrestojë mbrëmjen e djeshme autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje. Viktor Gushi, i divorcuar, prej disa vitesh jetonte në kryeqytet në rrugën
“Don Bosko”, në shtëpi të ndryshme me qira, ndërsa pjesa tjetër e familjes së tij jeton në Greqi. Mësohet se Gushi ka pranuar përpara oficerëve të policisë autorësinë e 12 grabitjeve, përfshi këtu vrasjen e 61-vjeçarit Rrapo Sinanaj dhe ngjarjen e ndodhur tre ditë më parë në bankën “NBG”.