TAP projekti më fleksibël për gazsjellësin

TAP projekti më fleksibël për gazsjellësin

Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur firmosjen e momorandumit e realizuar mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë për ndërtimin e një gazsjellësi TAP duke e cilësuar marrëveshjen si shumë të rëndësishme.

Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e kryeministrisë Erla Mëhilli u shpreh se TAP është projekti më fleksibël për gazsjellësin

“Ky lajm pushtoi dje mediat ndërkombëtare dhe akti u përshëndet nga zyrtarët e lartë sepse gazsjellësi përbën një nga korriderët më të rëndësishëm energjitik të kohës. TAP është projekti më fleksibël për gazsjellësin” shtoi Mëhilli.

Ajo ka theksuar më tej se Shqipëria është e vendosur për të pëmbushur të gjitha angazhimet për gazsjellësin TAP duke shtuar se investimi në Shqipëri nga ky projekt do të jetë mbi 2 miliardë euro si dhe do të hapë dhjetra mijëra vende pune.

Shqipëria, Italia dhe Greqia nënshkruan një ditë më parë në Nju Jork marrëveshjen për ndërtimin e një gazsjellësi, i cili nëse miratohet nga një konsorcium investitorësh, do të lidhë tre vendet, duke sjellë gazin nga fushat Azerbajxhanit për në Perëndim.