Takohen Isa Mustafa dhe Albin Kurti

Takohen Isa Mustafa dhe Albin Kurti

Takohen Isa Mustafa dhe Albin KurtiSot, në Kuvendin e Kosovës, në zyrën e nënkryetarit të Kuvendit, Sabri Hamiti, kryetari i Lidhjes Demokratike Dr. Isa Mustafa, dhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti u takuan me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurtin, dhe kryetarin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, Visar Ymerin.

Sipas një kumtesë për mediat të Vetëvendosjes, në këtë takim u diskutua për gjendjen e rëndë politike, ekonomike dhe sociale në Kosovë, si dhe për mungesën e demokracisë dhe të shtetit ligjor.

Përgjegjës për të gjitha këto është pikësëpari Qeveria e Kosovës. Me politikat e saj ose mungesën e tyre, ajo ka shkaktuar rritjen e varfërisë dhe të papunësisë në njërën anë, kurse degradimin e shtetndërtimit në anën tjetër, duke errësuar kështu perspektivën e qytetarëve të Kosovës.

Po ashtu, u trajtua edhe çështja e reformës zgjedhore dhe rëndësia e jashtëzakonshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Kosovë. Përndryshe, çfarëdo përsëritje e cilësdo prej atyre dukurive të shumta që shënuan vjedhjet dhe parregullsitë masive të zgjedhjeve të 12 dhjetorit 2010, do të bënte që shteti i dobët i Kosovës të rrezikojë që pakthyeshëm të dështojë.

Përfaqësuesit e drejtuesit e këtyre dy subjekteve folën edhe për nevojën e një bashkërendimi të shtuar dhe më të mirë opozitar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, thuhet në fund të kumtesës.