Takimi sekret Rama-Fullani në 20 korrik

Takimi sekret Rama-Fullani në 20 korrik

Takimi sekret Rama-Fullani në 20 korrikGuvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani para se të bënte kallzimin penal në Prokurori, në 21 korrik 2014, pati një takim të fshehtë me Kryeministrin Rama, i cili ishte i vetmi njeri që mund ta prishte lojën e Fullanit nëse donte.

Guvernatori Fullani nuk mund ta dërgonte çështjen në Prokurori nëse nuk kishte garancinë e Ramës se ai do të heshtte dhe nuk do të kërkonte shkarkimin dhe arrestimin e Fullanit.

Fullani mund ta kishte rregulluar me Prokurorinë, Këshillin Mbikqyrës të bankës që drejtonte, por të gjitha këto nuk vlenin nëse nuk siguronte dhe mbështetjen e Ramës. Se Kryeministri Rama ishte dhe është ende, i vetmi njeri që ka pushtet dhe fuqi ligjore për ta shkarkuar Fullanin.

Vjedhja në Thesarin e Bankës së Shtetit është një ngjarje dramatike, të cilën në çdo rast Kryeministri Rama nuk mund ta dramatizonte më tepër se sa ishte e tillë. Kryeministri mund të kishte thirrur në takim Prokurorin e Përgjithshëm dhe t’ i kishte kërkuar arrestimin e Fullanit dhe të drejtuesve të lartë të bankës qendrore. Unë besoj se në këtë rast Prokurori i Përgjithshëm nuk do të guxonte të mos e arrestonte Fullanin. Por, nëse Prokurori i Përgjithshëm nuk vepronte kështu, atëherë Kryeministri mund ta përdorte këtë rast për të shkarkuar me procedurë urgjente Prokurorin e Përgjithshëm, gjë që mund të bëhet me një shumicë të thjeshtë në Kuvend. A do të guxonte në një rrethanë të tillë Presidenti i Republikës ta mbronte Prokurorin e Përgjithshëm? Nuk e besoj, por nëse ndodhte kështu Kryeministri do të kishte të drejtë që të denonconte publikisht Presidentin si mbrojtës të vjedhësve të bankës qendrore dhe të niste procedurën urgjente për shkarkimin e tij.

Kryeministri Rama do të kishte fituar me këtë një kapital publik të jashtëzakonshëm, si te thuash institucional e politik, dhe do ta kishte zhvlerësuar krejt opozitën. Në vend të këtij kapitali politik dhe institucional, Kryeministri Rama zgjodhi të fitonte një kapital financiar në vlerën 50 milionë euro. Se kaq është shuma e gjobës (extortion, siç quhet në anglisht) që Kryeministri Rama i ka vënë Fullanit në takimin e tyre sekret të 20 korrikut. Kjo shumë parash duhet të kalonte brenda disa ditësh në llogari të caktuara, në off-shoret sorosiane, ku gjenden llogaritë sekrete të Ramës. Shkurt, Fullanit ia shkulën të gjitha puplat.

Madje Fullani ka bindjen se edhe zbulimi i vjedhjes në bankën qendrore është një operacion i ideuar nga Rama, i cili ka përdorur njerëz që punojnë në Bankën e Shqipërisë. Pra është një goditje kundër Fullanit nga brenda bankës qendrore. Natyrisht se vjedhja e parave në Thesar ndodhte, madje ishte kthyer në proces, por ishte Kryeministri Rama ai që zgjodhi momentin se kur do të zbulohej vjedhja.

Fullani që prej 20 korrikut është bërë një peng luksi, i cili është duke paguar gjoba gjithandej, që Kryeministri, te media, te Prokuroria etj. Shikoni se si gazetarë të caktuar, të cilët këto ditë bënë ndonjë artikull shumë të ashpër kundër Fullanit, befasisht e harruan këtë çështje. Kjo do të thotë se janë paguar nga Fullani.

Fullani duhet t’ ia kishte dorëzuar buxhetit të shtetit, domethënë arkës publike paratë e fituara në mënyrë abuzive. Tani ai po ia dorëzon ato para individëve të cilët e përdorin pushtetin publik që zotërojnë, për të arritur përfitime financiare abuzive personale. Fullani edhe mund të largohet nga posti që mban pak më vonë, por ai do të largohet si një peng të cilin e lirojnë pasiqë ka paguar shpërblimin.

Heshtja e Kryeministrit Rama për skandalin e Fullanit ka një çmim shumë të lartë, 50 milionë euro. Ndoshta heshtja më e shtrenjtë e ndonjë Kryeministri në historinë e politikës botërore. Pak kohë më parë Kryeministri Rama e përdori emrin e Gates, banditit të Lazaratit, si figuracion për të thënë se institucionet duhet të pastrohen nga “Gatet”. Ironikisht, emri “Gate” është i njëjtë me fjalën anglisht e cila që prej skandalit të Watergate, ka hyrë në fjalorin ndërkombëtar, si fjala që shtohet si prapashtesë në emërtimet e skandaleve. Në këtë rast kemi Fullangate, por në këtë rast “Gate” i Fullanit (fjalën “Gate” këtu e përdor në kuptim të dyfishtë, edhe atë shqiptar të fjalorit kryeministror) është vetë Kryeministri Rama.

Heshtja e Berishës dhe Bashës për Fullangate është sigurisht kompromentuese. Justifikimi i djeshëm i Berishës për shkakun e heshtjes së tij është absurd. Jo më pak absurde ështe kur të nesërmen e justifikimit të Berishës në Facebook për heshtjen e tij për këtë çështje, sot doli zëdhënësja e PD-së, që njëmbëdhjetë ditë pasi është bërë e ditur vjedhja në bankën qendrore, të flasë në emër të PD, ashtu siç i pëlqen Fullanit. Gjithsesi, tashmë përgjegjësia e Berishës si ish-kryeministër është thjesht morale dhe po ashtu ajo e Bashës si kryetar i opozitës. Por heshtja e Kryeministrit Rama është kriminale, se është pasojë e një marrëveshje kriminale. Sali Berisha e di se Guvernatorit iu vu gjobë nga Kryeministri, por megjithatë hesht për këtë gjë.