Stupcat në betejë për të drejtat autoriale

Stupcat në betejë për të drejtat autoriale

Stupcat në betejë për të drejtat autorialeKallëzimi penal për shkeljen e të drejtave autoriale, i bërë nga aktorët komikë të njohur si Stupcat, çoi në paraburgim njëjavor Emrush Thaçin, pronarin e kompanisë Emra Com.

Stupcat bashkëpunuan me këtë kompani prej vitit 2003 deri në vitin 2012. Thaçi thotë se gjatë kësaj kohe ishte menaxher i artistëve të humorit, një gjë që e mohon menaxheri i tashëm i Stupcave Agron Sokoli. Problemi lindi kur Emra Com nëpërmjet kanalit Arkiva shqip në YouTube filloi të postojë skeçe të këtyre komikëve, ndërsa ata e kanë tashmë kanalin Stupcat TV në këtë rrjet të shpërndarjes së videove. Artistët shqiptarë kanë filluar të fitojnë para nga klikimet që u bëhen prodhimeve të tyre në YouTube. Prokuroria thotë se Stupcat janë dëmtuar nga Emra Com për 100 mijë euro.

Emrush Thaçi dyshohet se ka përfituar 100 mijë euro duke shkelur të drejtat autoriale të tre aktorëve komikë, Mensur Safqiu, Vedat Bajrami dhe Osman Azemi, që në publik njihen si “Stupcat”.

Thaçi, është arrestuar më 10 korrik nën dyshimin se ka kryer veprën penale të cenimit të të drejtave autoriale dhe mashtrimit, pas kallëzimit penal të ushtruar nga Stupcat në qershor të këtij viti.

Ai është liruar një javë më pas, më 17 korrik me kusht që të paraqitet çdo të hënë dhe të enjte në polici.

Nëse vërtetohen dyshimet, Thaçi mund të dënohet me gjobë dhe burg deri në pesë vjet, për cenimin e të drejtave autoriale dhe deri në dhjetë vjet për mashtrim.

Emrush Thaçi ka mohuar të gjitha akuzat dhe ka kërkuar që të mos paraburgoset, në mënyrë që të përgatitet për t’u ballafaquar me akuza.

Në vitin 2003 Stupcat kishin filluar të punonin me kompaninë Emra Com, që është produksion distributiv muzikor në pronësi të të dyshuarit Emrush Thaçi dhe merret kryesisht me përpunimin dhe shitjen e DVD-ve.

Sipas Stupcave, bashkëpunimi me Emra Com-in nënkuptonte përgatitjen dhe shitjen e DVD-ve me videot humoristike të tyre, por kompania nuk kishte të drejtë të postonte materialin e tyre online, në Youtube ose në rrjete të tjera sociale.

Mosmarrëveshja në mes të Stupcave dhe Emra Com ka filluar kur në Youtube janë paraqitur dy kanale për publikimin e skeçeve humoristike.

Youtube, kur kishte parë që ekzistonin dy kanale që publikonin të njëjtin material, kishte dërguar dy vërejtje tek Stupcat Group, me ç’rast kërkonte që të caktohej se kush kishte të drejtat autoriale në Kosovë për materialet e tyre, thotë producenti Agron Sokoli.

Grupi Stupcat ka autorizuar producentin Agron Sokoli që të flasë për gazetën në emrin e tyre.

Kanali i Stupcave në YouTube është StupcaTv dhe menaxhohet nga kompania On Air.

Kanali tjetër në Youtube, i quajtur “Arkiva Shqip”, që është në pronësi të Acromax, sipas shkresave të gjykatës, kishte marrë të drejtat autoriale për publikimin e videove të Stupacve nga Emra Com.

“Pronari i Emra Com ka lidhur kontratë me kompaninë Acromax i cili ka postuar në YouTube minimum 25 produkte pa bazë ligjore”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.

Emra Com nuk i posedonte këto të drejta, thotë producenti Sokoli.

“Ai këtë e ka bërë pa autorizimin e Stupcave. Ne s’kemi dhënë asnjë nënshkrim, sepse ne kemi përfaqësuesin tonë zyrtar për Internet”, thotë Sokoli.

Thaçi nuk ka shpjeguar para gjykatës nëse kishte autorizuar Acromax-in për të publikuar videot e Stupcave.

Ai është kontaktuar nga gazeta për më shumë se dy javë por nuk ka dhënë përgjigje lidhur me rastin.

Sipas shkresave që posedon gazeta, dyshimet për keqpërdorime rëndojnë vetëm mbi kompaninë Emra Com dhe jo për kompaninë Acromax, pronar i së cilës është Aldor Nini.

Nini, i kontaktuar nga gazeta thotë se ka pasur autorizim nga Emrush Thaçi për materialin e kontestuar.

Pronari i Acromax, kompani kjo e themeluar në Gjermani, ka treguar se ka bërë të gjitha përpjekjet e duhura ligjore për t’u siguruar që autorizimet e Thaçit ishin në rregull.

“Zoti Emrush Thaçi na ka vendosur në dispozicion xhirimet dhe materialet se si janë hedhur në treg ato që nga viti 2003. Merren xhirimet dhe shikohen shenjat që janë përmendur në fillim, ku shënohet se kush është producenti, aktorët, publikuesi… si dhe kush e ka bërë editimin e DVD-së. Neve konstatuam se producent në gjithë ato fillime është Emrush Thaçi dhe se aktorët nuk kanë të drejta autoriale” tha Nini.

“Stupcat janë dëmtuar rreth 100 mijë euro”

Prokuroria pretendon përmes provave që Acromax ka publikuar në Youtube minimum 25 produkte të kompanisë Stupcat Group [nga shikueshmëria e të cilave ka fituar të holla] duke dëmtuar këta të fundit për rreth 100 mijë euro.

Rasti është inicuar dhe është duke u ndjekur nga prokurorja Shemsije Asllani, në prokurorinë themelore të Prishtinës.

Aktualisht, në kanalin Arkiva Shqip të Acromax-it në Youtube figurojë si të fshira videot me emrin Stupcat Thuprat.

Për këto 25 video, të cilat ishin të postuara edhe në kanalin e stupcave, ku ata kishin përfituar 14 milionë shikime në kanalin e tyre StupcaTv. Për shkak të mosmarrëveshjeve, ata kanë fshehur këto video gjë që ka ndikuar në humbjen e klikimeve.

“I kemi bërë të padukshme ato skeçe derisa të merret vendimi i gjykatës për të drejtat e autorit” thotë Sokoli.

Filmi Egjeli I dhe II dhe disa video të tyre të bëra për Vit të Ri, Tetë Mars dhe të tjera, nuk janë më publike, shtoi ai.

Numri i klikimeve është me rëndësi kur është në pyetje bashkëpunimi ndërkomëbëtar.

“Kur bëj një projekt me një organizatë ndërkombëtare unë duhet të thirrem në klikimet në YouTube. Unë i kam 34 milionë, pas një jave më sulmon ai [Emrush Thaci v.j.]sajtin dhe unë i kam 20 milionë. Dal joserioz. Sepse janë shifra që shihen,” thotë producenti i Stupcave.

YouTube ofron mundësinë që për video të postuara përmes llogarive që mund të hapen në këtë platformë, të përfitojnë financiarisht autorët e tyre.

Ofruesit e përmbajtjes në Youtube duhen fillimisht të bëhen partnerë, pasi t’i plotësojnë disa kushte. Pastaj, YouTube vendos reklama në videot (materialet) e postuara dhe për çdo shikim të asaj reklame brenda videos, YouTube fiton të holla të cilat i ndan me autorin, varësisht nga marrëveshja.

Sokoli thotë se Emra Com ka përfituar materialisht në emër të Stupcave.

“Ai [Emrush Thaçi] nuk është lajmëruar tek Stupcat, me tregu që ka marrë para në emrin tonë”.

Emrush Thaçi është kontaktuar nga gazeta për më shumë se dy javë por nuk ka kthyer përgjigje.

Thaçi nuk ka pranuar të përgjigjet në pyetjet e gazetës nëse ka fituar të holla në emër të Stupcave përmes YouTube.

Stupcat kanë tentuar që të gjejnë marrëveshje me Emra Com-in për të mos u përballur me gjykatës, sipas Sokolit. “Tani ne mbesim prapa çdo vendimi të gjykatës”.

Kush është producenti i “vërtetë” i Stupcave?

Konteksti, ndër të tjera, ka të bëjë me atë se kush ka të drejtë të jetë producent i Stupcave dhe t’i përfaqësojë ata.

“Sipas mendimit tonë, ai ka pasur të drejtën e distribuimit vetëm në DVD”, thotë Agron Sokoli, producenti ekzekutiv i Stupcave.

Marrëveshja nuk ka qenë e shkruar asnjëherë, por është bazuar në marrëveshje verbale në mes të palëve, sipas producentit të Stupcave.

Emrush Thaçi është prezantuar si producent i yni edhe pse ai ka qenë producent vetëm për këngë, thotë Sokoli.

“Ne e kemi bërë materialin dhe i kemi thënë kaq kushton materiali. Producenti [ekzekutiv] duhet me e ditë vendxhirimin, duhet me e zgjedhë ekipin, ai [Emrush Thaçi] se njeh askënd të ekipit, edhe thotë unë jam producent, unë jam menaxher”, shtoi Sokoli.

Ndërkohë, Emrush Thaçi pretendon se ka qenë producent i Stupcave për nëntë vjet.

“Nga 2003 deri më 2011 jam producent i Stupcave”, ka deklaruar Thaqi në gjykatë më 12 korrik.

Paraburgimi i Thaçit është kërkuar nga prokurorja Asllani, meqë ajo dyshonte se i dyshuari mund ta fshehë identitetin e tij, të ikë, të asgjësojë, ndryshojë apo fshehë provat e veprës penale si dhe mund t’i përsërisë veprat penale.

Për avokatin mbrojtës të Thaçit, Arianit Koci, “ky është një keqkuptim”.

Koci thotë për gazetën Jeta në Kosovë se palët [Thaçi dhe Stupcat] kanë pasur bashkëpunim të mirë deri vonë dhe se nuk ka pasur ndonjë problem në mes tyre.

“Ai kishte deklaruar se është befasur se pse për këtë çështje nuk kanë ardhur Stupcat për të biseduar më të, por e kanë bërë direkt kallëzimin penal” kishte deklaruar Koci në gjykatë.

Sipas avokatit të tij, Thaçi është njeri i respektuar në komunitetin artistik dhe se asnjëherë nuk kishte rënë ndesh me ligjin.

Ndërkaq, Emrush Thaçi ka deklaruar në gjykatë se “kontrata ishte vetëm një deklaratë me anë të së cilës unë jam producent i tyre dhe kam kërkuar vetëm të drejtat e producentit”.