Stefan Füle : Kosova të përfundojë negociatat për MSA-në deri në pranverë

Stefan Füle : Kosova të përfundojë negociatat për MSA-në deri në pranverë

Stefan Füle : Kosova të përfundojë negociatat për MSA-në deri në pranverëKosova mund të përmbyllë negociatat me Bashkimin Evropian për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim -Asociimit deri në pranverën e vitit të ardhshëm, ka deklaruar të enjten në Prishtinë, komisionari për Zgjerim, Stefan Füle. 

Këto komente ai i ka bërë në Prishtinë gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Me këtë rast, Füle ka deklaruar se lansimi i MSA-së për Kosovën ishte një shpërblim i merituar pas punës së madhe që është bërë nga ana e institucioneve të saj. Ai ka thënë se vendet e BE-së ishin unike kur vendosën që të autorizojnë nisjen e negociatave me Kosovën për MSA-në. Me këtë vendim, sipas tij, Kosova përfundimisht është vendosur në agjendën integruese për në BE dhe tani, pas pushimeve verore, ka paralajmëruar se do të ketë shumë punë. Por, ai është shprehur shumë i bindur që e gjitha mund të përmbyllet deri në pranverën e ardhshme.

Si raporton Rel, njëherësh Füle ka lavdëruar edhe pozicionin konstruktiv të Prishtinës zyrtare në bisedimet me Beogradin.

Në anën tjetër, kryeministri Thaçi është zotuar se Kosova do t’i zbatojë të gjitha rekomandimet dhe obligimet që dalin nga negociatat për MSA-në. Po ashtu, ai e ka siguruar zyrtarin e lartë evropian edhe me përkushtimin e Prishtinës për të zbatuar marrëveshjen e 19 prillit të arritur në dialogun me Beogradin.

Më pas Füle ka vazhduar për në Kuvendin e Kosovës, ku i është adresuar deputetëve.