Stambolli rrezikon të përjashtohet nga UNESCO-ja

Stambolli rrezikon të përjashtohet nga UNESCO-ja

Ekspertë të UNESCO – s kanë hasur në pakujdesinë e autoriteteve turke karshi monumenteve të njohura kulturore e historike në pjesën e vjetër të Stambollit, të cilat janë në listën e objekteve të trashëgimisë botërore, raportojnë mediat turke.

Disa prej këtyre objekteve i ka rrënuar koha, disa të tjera po restaurohen, por joprofesionalisht, përderisa të tjera objekte janë rrethuar nga ndërtesa me beton e xhama, ndërtime moderne që janë në kontrast me arkitekturën e objekteve që konsiderohen pasuri botërore.

Zyrtarë të UNESCO-s kanë qenë të shokuar kur kanë parë sesa shumë janë rrënuar objekte të mbrojtura me ligj. Apo edhe më keq: kur ato zhduken nga faqja e dheut”, ka thënë Korhan Gumush, drejtor i një agjencie në Stamboll, i cili qytet këtë bashkë me Peçujin (Hungari) dhe Essenin (Gjermani) këtë vit janë “kryeqytetet” evropianë të kulturës.

Por këto shqetësime nuk janë të pabaza. Ekspertët e UNESCO-s kanë bërë një analizë e cila e vërteton një gjë të tillë. E rrezikuar është trashëgimia mbretërisë bizantine dhe osmane pa dallim. Në këtë pjesë të qytetit është Aya Sofia (e ndërtuar në shekullin VI, Sulejman Xhamia (XV), hipodromi i njohur (shekulli V), dhe muri bizantin, gati 25 kilometra i gjatë.

UNESCO-ja ka propozuar që Stambolli i Vjetër, si pasojë e qasjes jo të duhur në ruajtjen e tij, të futet në listën botërore të trashëgimisë së rrezikuar. Për këtë, arkeologët dhe arkitektët turq me padurim presin diskutimet për këtë çështje, të cilët nën organizimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në fund të këtij muaji do të mbahen në Brazil.
“Pjesa e vjetër e Stambollit me siguri do të ‘përjashtohet’ nga lista e UNESCO-s për trashëgimi botërore. Ky do të jetë një turp i madh për ne”, ka paralajmëruar, profesori universitar, arkitekti Xhevat Erder, ekspert i njohur për mbrojtjen e trashëgimisë. “Sikur kjo t’i ndodhte Romës, dikush medoemos do të duhej të jepte dorëheqje” , ka shtuar ai.

Ekspertët turq, të cilët sipas natyrës së punës, me të vërtetë brengosen për këto monumente, nuk janë zënë në befasi, me këto paralajmërime. Por gjithsesi janë të habitur. Paralajmërime të ngjashme, UNESCO në adresë të Stambollit ka dërguar edhe në vitin 2004. Por siç duket tani, për organet përgjegjëse të Turqisë këto rekomandime kanë mbetur në letër, përderisa kishin premtuar se do të përmirësojnë gabimet. Ata nuk kishin bërë pothuajse asgjë, ani pse kishin premtuar se do t’i përmbushin të gjitha kërkesat.

Raporti më i freskët dëshmon se asnjë premtim nuk është përmbushur deri në fund”, ka thënë Erder në një intervistë për të përditshmen “Hyriet”. Sipas tij, problemi qëndron tek mungesa e komunikimit midis organeve kompetente shtetërore, përgjegjëse për trashëgiminë kulturore. Të gjithë refuzojnë përgjegjësinë për atë çfarë po ndodhë”, ka thënë ai.

Një rrëfim në vete është edhe Muri bizantin, i cili me shekuj kishte qenë mburojë nga pushtuesit. Ai qe thyer vetëm një herë; në kohën kur Mehmet Pushtuesi, çau bedenat e këtij muri dhe hyri në qytet. Tani ai është lënë në mëshirë të kohës, përderisa pjesë të tij shpesh kanë përfunduar në ndërtime private. Ky shkatërrim i trashëgimisë kishte bërë disa ekspertë të ngrinin zërin, por masat që janë ndërmarrë për ta ruajtur këtë monument trashëgimie kanë qenë joprofesionale.

Projektet që janë bërë për restaurim shpesh kanë qenë të zbehta duke u munduar që të ruhen paratë dhe materiali. Megalopolisi në Bosfor, ashtu si dhe metropole të tjera në botë, përballet me kërcënimet e arkitekturës moderne që ka sjellë shekulli XXI. Përplasjet e të resë me të vjetrën janë të dukshme në çdo hap. Mjafton të përmendet ndërtimi i metrosë në këtë pjesë të Stambollit, një projekt për të lidhur Evropën me Azinë. Ky projekt do të pengojë qarkullimin në pjesën e vjetër të qytetit që mund të jetë një dridhje për monumentet kulturore e historike të cilët, me qëndrueshmërinë jostabile të tyre – zor se do të mund të përballojnë peshën e betonit dhe të hekurit që po përdoret në ndërtimet e reja.

Një sfidë e vërtetë për Turqinë është se si të harmonizojë të vjetrën me të renë. Në nuk jemi kundër modernizimit, por me të vërtetë është e rëndësishme që të ruhet autenticiteti i pjesës së qytetit, që është në listën e trashëgimisë botërore”, ka tërhequr vërejtjen Irina Bokova, drejtoreshë e UNESCO-s.
Në Ministrinë e Kulturës të Turqisë, nuk pranojnë ta komentojnë raportin e fundit të UNESCO-s, shkruan gazeta “Hyrijet”.

Duket cinike deklarata që ka dhënë eksperti turistik Saim Turhan për këtë gazetë. “Turqia po bën të pamundurën. Por kjo nuk është një punë e lehtë. Në çdo 45 kilometra ne kemi lokalitete arkeologjike dhe nuk është e lehtë që të gjitha këto të mbrohen”, ka thënë ai.