Spanja ne Finalen e Kampionatit Boteror

Spanjollët për herë të parë në finale

Parashikimi i gjallesës nënujore Oktapodi Paul u bë realitet, Spanja-Holanda takohen në finalen e 11 korrikut, që zhvillohet në Johannesburg.

Spanja shënoi fitore me rezultat 1:0 ndaj Gjermanisë dhe kualifikohet në finalen e madhe. Spanja në finale takohet me Holandën, e cila të martën mbrëma eliminoi Uruguain, duke e mposhtur me rezultat 3:2. Finalja e botërorit do të zhvillohet të dielën, me 11 korrik, në orën 20.30, në stadiumin Johhanesburg. Spanja realisht ka qenë më e mirë për gjatë gjithë ndeshjes, duke pasur më shumë raste, por edhe ka mbajtur më shumë topin në këmbët e veta.

Edhe gjermanët u munduan mjaft, por pa sukses. Puyol ka qenë kreator i kësaj fitore të madhe. Pak kush ka pritur se një mbrojtës si Puyol të shënoi golin e fitores dhe pikërisht në minutën e 73-të. Duhet theksuar se në minutën e katërt të pjesës së parë, një adhurues i pandërgjegjshëm ka hyrë në fushë, por sigurimi ka larguar me shpejtësi. Ky adhurues ndërpreu për pak çaste ndeshjen, duke krijuar skandal të llojit të vet. Spanjollët në 45 minutat e parë të takimit, 56 për qind e patën topin në pronësi, ndërsa gjermanët 44 për qind.

Në pjesën e dytë ka qenë lojë mjaft e mirë me mbizotërim te futbollistëve spanjoll. Në minutën e 48-të, Pedro kaloi një nga një futbollistët e Gjermanisë, duke e gjetur me dinakëri futbollistin Alonso, por gjuajtja e tij nga 22-23 metra shkoi larg portës. Pas dy minutave lojë, Alonso sërish rrezikoi portën gjermane, gjuajtja e tij nga 20 metra shkoi për disa centimetra jashtë portës.

Spanja ka pasur rastin më të mirë të ndeshjes në minutën e 58-të, por edhe këtë herë nuk realizuan gol. Pedro, futbollisti më i shkathët, ka rrezikuar portën gjermane, topi kthehet deri të Iniesta, i cili për bukuri lirohet, duke pasuar deri të Villa, i cili vonohet dhe nuk arriti të plason topin në portën e zbrazët. Spanjollët patën fat në minutën e 69-të. Gjermanët pas një loje jo aq të mirë, krijuan rastin e qind për qind, por Kroos i futur në pjesën e dytë, nga afërsia gjuajti rrëmbyeshëm, por Casillas dot nuk mposhtet. Pas shumë rasteve spanjollët gjejnë edhe golin.

Mesfushori Xavi me dinakëri ka harkuar, ndërsa mbrojtësi Puyol më së miri shkëputet në mesin e futbollistëve gjerman, duke goditur me kokë topin sa bukur, aq edhe fuqishëm dhe mposhti portierin gjerman, Neur, 1:0. Pedro u tregua vetjak në minutën e 82-të, i cili nuk ia pasoi topin Torresit të vetmuar në 16-shin gjerman, por nga dashira që veprimin ta përfundoj vet me gol, dështoi dhe humbet një nga rastet ndër më të mira të ndeshjes.

Ndërkaq, për vend të tretë Gjermania do të luajë kundër Uruguait. /Sporti Total