Spanja në çerekfinale të Kampionatit botëror

Spanja në çerekfinale të Kampionatit botëror

Portugalia i ka dhënë fund aventurës së saj në Kampionatin botëror ‘Afrika e Jugut’ 2010. Portugezët u mposhtën nga Kampioni i Evropës, Spanja, me rezultat minimal 1:0 në të tetën e finales.

Pas kësaj fitore spanjollët u kualifikuan në çerekfinale të Kampionatit botëror, ku i pret Paraguai, i cili mposhti Japoninë pas ekzekutimit të penalltive.

Të përzgjedhurit e trajnerit Vicente del Bosque e kanë nisur furishëm takimin, duke dominuar në fushë. Qysh në fillim të kësaj përballje Torres pati rast të mirë që të shënoj gol mirëpo goditja e tij u ndal nga portieri portugez Eduardo.

Vetëm pak minuta më vonë, David Villa goditi nga distanca, por goditjen e tij e ndali portieri portugez i cili ishte shpëtimtar i ekipit. Sulmuesi i ri i Barcelonës provoi sërish por gjuajtja e tij përfundoi në duart e portierit Eduardo.

Derisa spanjollët sulmonin pa ndërprerë shumë lehtë kanë mundur të pësojnë gol nga një kundërsulm, kur Almeida nga distanca për pak nuk e mposhti portierin spanjoll Iker Casillas.

Edhe në pjesën e dytë spanjollët dominuan në fushë dhe krijuan disa raste shënimi mirëpo assesi nuk arrinin ta gjenin rrugën deri te goli, pasi portugezët luanin në një mbrojtje të fortë.

Portugezët, të cilët rrezikonin portën e Casillasit nëpërmjet kundërsulmeve, kanë mundur të kalojnë në epërsi, kur mbrojtësi Carles Pyoll gjatë një ndërhyrje për pak sa nuk shënoi autogol.

Në minutën e 62-të Marchena, i cili zëvendësoi Torresin, në kontaktin e parë pati rastë të shkëlqyeshëm të shënoj, mirëpo këtë ia mohoi portieri Eduardo, i cili ishte më meritori që Portugalia nuk pësoi humbje më të thellë.

Vetëm një minut më vonë sulmuesi më i rrezikshëm i Spanjës, David Villa arriti ta dërgoj topin në rrjetë, pas një aksioni të shkëlqyeshëm. Villa në tentimin e parë dështoi pasi Eduardo priti gjuajtjen e tij, por në tentimin e dytë ishte i saktë.

Villa, i cili në këtë botëror ka realizuar katër gola ka pasur edhe disa raste por nuk ka arritur t’i konkretizojë. Po ashtu raste të mira për shënim kishin edhe Marchena e Ramos, por goditjet e tyre u pritën nga portieri portugez.

Ronaldo dhe shokët e tij, që golin mundoheshin ta gjejnë nga kundërsulmet, dështuan pasi nuk arritën ta mposhtin Iker Casillanin përkundër disa rasteve të mira që kishin. Portugalia do të kthehet në shtëpi, derisa spanjollët do ta vazhdojnë misionin e tyre në Afrikën e Jugut.