Sot Thaçi takohet me  Ivica Daçiqin në Bruksel

Sot Thaçi takohet me Ivica Daçiqin në Bruksel

Sot Thaçi takohet me  Ivica Daçiqin në BrukselNë Bruksel sot zhvillohet rundi i 23-të i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Me ftesë të shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, në dialog do të marrin pjesë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri në largim i Serbisë, Ivica Daçiq, dhe Aleksandar Vuçiq, fituesi i zgjedhjeve të fundit në Serbi, i cili është paralajmëruar se do të jetë kryeministri i ardhshëm i këtij vendi.

Tema të dialogut pritet të jenë gjyqësori dhe krijimi i Bashkësisë (Asociacionit) së Komunave serbe në Kosovë.
Rreth krijimit të Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë deri tash ka pasur pikëpamje të papërputhshme midis dy kryeministrave.

Kryeministri i kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se nuk pret vështirësi në dialog për shkak të prezencës së Vuçiqit. Gjatë një vizite që i bëri të dielën kompanisë “Scards” në Prishtinë, kryeministri ka komentuar edhe për takimin e Brukselit.

“Nuk është diçka e jashtëzakonshme, pritet përmbyllja e marrëveshjes për sistemin e drejtësisë dhe funksionalizimi i sistemit të drejtësisë edhe në veri”, ka thënë ai.

Takimet e deritashme të zhvilluara në nivel kryeministrash dhe në kuadër të grupeve teknike kanë rezultuar të dështuara në arritjen e pajtimit për përbërjen e Gjykatës Themelore në veri të Mitrovicës. Herën e fundit kur u takuan kryeministrat Thaçi e Daçiqi më 12 shkurt, u tha se janë afruar aq shumë qëndrimet rreth sistemit të drejtësisë në Kosovë saqë finalizimi i marrëveshjes do të ndodhë në takimin e radhës pas disa ditëve në Bruksel.

Ajo çfarë janë pajtuar deri më tani palët është se do të jetë një gjykatë e qarkut të Mitrovicës për shtatë komuna, jo vetëm për ato me shumicë serbe, siç kishte kërkuar më herët Beogradi. Gjykata themelore në veri do t’u shërbejë komunave të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë Veriore, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan, plus tri komunave në jug të Ibrit – Mitrovicë Jugore, Vushtrri e Skenderaj.

Derisa pala kosovare është zotuar se gjithçka do të jetë në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, serbët pretendojnë se me marrëveshje do të ruhet individualiteti dhe specifikat e veriut të Kosovës.
Bekim Çollaku, këshilltar i kryeministrit Thaçi, po ashtu ka thënë se në këtë takim do të bëhet edhe një analizë për segmentet e tjera të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit.

“Ne e kemi pranuar që tashmë jemi vonë në zbatimin e Marrëveshjes së 19 prillit në fushën e drejtësisë, mirëpo këto zvarritje dihet që kanë ardhur nga pala e Serbisë dhe presim që këto zvarritje që kanë ekzistuar deri më tash të tejkalohen përfundimisht dhe të fillojmë konkretisht zbatimin në praktikë”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

Çollaku pret që pala serbe të reflektojë në përshpejtimin e zbatimit të obligimeve që ka marrë me Marrëveshjen e Brukselit, marrë parasysh edhe faktin që përparimet e saj në negociatat për integrim në Bashkimin Evropian ndërlidhen edhe me përparimet në zbatimin e marrëveshjes me Kosovën.

Kryeministri aktual Ivicia Daçiq tha se sot në Bruksel e pret një dialog i vështirë. Ai u tha medieve të Beogradit se Kosova ndodhet para zgjedhjeve parlamentare dhe se do të jetë problem se kush do të ketë të drejtë vote, sa deputetë do të kenë serbët në Kuvendin e Kosovëps, si do të përfaqësohen serbët në organet e pushtetit në Kosovë, konstituimi i Asociacionit të Komunave dhe çështje të tjera.
Para bashkëbiseduesve në Bruksel do të jetë “arrë e fortë” çështja e kompetencave e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të cilin Beogradi e do vetëm për serbët, ndërsa Kosova kërkon që ai të ketë kompetenca për shtatë komuna të këtij rajoni.
Edhe Mbrojtja Civile në pjesën veriore të Kosovës, që aktualisht është nën ndikimin e Beogradit, i cili këtë e konsideron si kompetencë të pushtetit lokal, shtrohet si çështje e diskutueshme, meqë Kosova insiston që ajo të integrohet në sistemin e Kosovës, që kundërshtohet nga pala serbe.
Dialogu pritet të fillojë në Kabinetin e Ashton në orët e hershme të pasdites së sotshme dhe të përfundojë dikur në mbrëmje.