Sonte finalja e Ligës së Kampionëve

Sonte finalja e Ligës së Kampionëve

Sonte finalja e Ligës së KampionëveNjë Euroderbi, finalja e finaleve për t’i vënë kapak këtij edicioni të magjishëm të Champions League, që ashtu si cdo herë rezervon fakte të njohura e të panjohura, si dhe kuriozitete mjaft pikante e bëjnë edhe më interesant këtë derbi madrilen, që luhet në tokën portugeze.

E nisim nga Diego Simeone, që është i pari trajner joeuropian në finalen e Champions League që nga viti 2001, kur Valencia e drejtuar nga argjentinasi Hector Cuper u mund nga Bayerni i zvicerianit Ottmar Hitzfeld. Me triumfin e sotëm të Realit apo Atleticos, për Spanjën shkon në 14 numri i Champions-ave të fituar, më shumë se çdo vend tjetër, duke u ndjekur nga Italia e Anglia me nga 12 triumfe.

Një statistikë tjetër që ndoshta duhet marrë parasysh nga bastevënësit është rezultati më i shpeshtë në një finale të Championsit, është shifra 1-0, e regjistruar në plot 15 përballje të tilla. Kush do të jetë protagonisti i mbrëmjes; Cristiano Ronaldo, Diego Costa apo David Villa?

Në finale numërohen 11 gola gjithsej të realizuar nga futbollistët portugezë, ekzaktësisht 2 herë më pak se ata spanjollë, por për Cristianon pak rëndësi kanë këto të dhëna sepse luzitani i vetëm ka shënuar 12 herë në 13 ballafaqime me Atleticon.

Etja dhe dëshira për triumfin është e pafund në të dyja kampet, sepse mendon historia ta bëjë edhe më të zjarrtë këtë derbi. Për herë të fundit në finalen e Championsit, Atletico është shfaqur në vitin e largët 1974, kur u mund nga Bayerni, ndërsa Reali të nëntin e ka fituar në 2002-in kundër Bayer Leverkusenit dhe që atëherë La Decima është kthyer në fiksim për një botë të tërë madrilene.

22 janë klubet që e kanë fituar trofeun e Championsit, ishte pikërisht Reali i pari në vitin 1956 dhe i fundit që i është bashkuar listës ishte Chelsea 2 vjet më parë.

Nga “Los Blancos”, Casillas synon triumfin e tij të 21-të në derbin me “Los Colchoneros”, ndërsa Ronaldo kërkon 2 gola për të barazuar rekordin e 18 realizimeve të Radamel Falcaos brenda një sezoni në Europë.

E si tjetër mund të ndizet në ekstrem një rivalitet historik mes dy skuadrave që ndajnë të njëjtin qytet? Në 30 përballjet direkte mes tyre, Atletico ka mundur të triumfojë vetëm 2 herë, por me Simeonen, kampionët e sapokurorëzuar të Spanjës janë vërtet të frikshëm. Në arenën europiane, “Los Colchoneros” janë të vetmit që nuk kanë pësuar humbje, numërojnë deri më sot 9 fitore dhe 3 barazime. Po ashtu, kjo skuadër ka mbrojtjen më të blinduar të këtij sezoni me vetëm 6 gola të pësuar në 12 takime.

Përsa i përket ballafaqimit të trajnerëve, Ancelotti e shikon nga disa shkallë më lart argjentinasin Simeone. Strategu italian mund të bëhet i pari trajner sonte me tre kupa europiane, pas Bob Paisley, i vetmi në histori që e ka bërë diçka të tillë me Liverpoolin, tre dekada më parë.

Gjithsesi këto janë vetëm shifra të së shkuarës sepse historinë e këtij derbi askush nuk e di. Në Lisbonë kapitulli i ri shkruhet sonte në ora 20.45.