Skuadrat e basketbollit e nisin nga "e para"

Skuadrat e basketbollit e nisin nga “e para”

Skuadrat e basketbollit e nisin nga "e para"BKT Superliga në basketboll në pranverë do të ketë pamje krejt ndryshe nga ajo që kishte në vjeshtë. Stinori pranveror pritet të nisë më 20 shkurt, ndërsa të gjitha tetë skuadrat pritet të pësojnë ndryshime të mëdha në përbërje.

Ndryshimet kryesore pritet të jenë ato të lojtarëve të huaj, që gati në të gjitha skuadrat janë bartës të lojës.

Në të vërtetë, BKT Superliga nuk ishte stabile as në vjeshtë – skuadrat vazhdimisht kanë bërë ndërrime të lojtarëve të huaj. Pak prej tyre u stabilizuan në klubet kosovare. Por, në pushim midis dy stinorëve, një pjesë e lojtarëve të “stabilizuar” braktisën Kosovën.

Sigkos Bashkimi tashmë ka mbetur pa tre lojtarët e huaj që kishte në vjeshtë, Philip Brooksin, Dustin Mitchelin e Jermont Hortonin. Loja e ekipit prizrenas në pjesën e parë të kampionatit është bazuar në dyshen Brooks – Mitchell, që për pranverë kanë vendosur të luajnë në vende tjera. I fundit prej tyre që është larguar është plejmejkeri Brooks. Ai ka bërë të ditur se karrierën do ta vazhdojë në Kolumbi. Javën e kaluar alo-qendra Dustin Mitchell kaloi në kategorinë e dytë gjermane. Jermon Horton që për Bashkimin luajti pak ndeshje, kaloi në Rumani.

Menaxheri i klubit prizrenas, Arlind Kaçaniku pranon se nuk ka pritur largimin e tre të huajve.

“Me Brooksin kishim kontratë, por nuk kemi mundësi që ta ndalnim atë që të largohet. Nuk kemi ku të ankohemi për këtë. Në vjeshtë kishim fat me lojtarë të huaj dhe natyrisht po punojmë për zëvendësimin e tyre. Kemi opsione, ndërsa fjala e fundit i takon trajnerit Muharem Vugdaliq”, ka thënë Kaçaniku. Ai nuk pret që synimet e Bashkimit të rrezikohen për shkak të largimit të bartësve të lojës. Sigkos Bashkimi renditet i treti me 23 pikë, katër më pak se Peja e Sigal Prishtina që prijnë., shkruan sot gjerësisht Koha Ditore.