Skeçi me zyrtarët e lartë shtetërorë tërhiqet nga “Youtube” dhe “StupcatTV”

Skeçi me zyrtarët e lartë shtetërorë tërhiqet nga “Youtube” dhe “StupcatTV”

Skeçi me zyrtarët e lartë shtetërorë tërhiqet nga “Youtube” dhe “StupcatTV”Skeçi në të cilin personifikohen tre zyrtarë të lartë të shtetit teksa këndojnë e gjuajnë para pranë varrit të nënës së tyre në një hapësirë përplot varreza të tjera, i realizuar nga “Stupcat” në fund të vitit të kaluar, është hequr nga kanali zyrtar “StupcatTV” në “Youtube”.

Anëtarët e “Stupcave” nuk e pranojnë se heqja e skeçit është bërë pas reagimit të publikut, por për arsye të tjera, teksa një burim brenda “Stupcave” i ka thënë gazetës se skeçi është hequr përkohësisht, pasi ka ngjallur reagime jo të mira te një pjesë e publikut, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Ne e kemi hequr për shkaqe teknike dhe kjo është pjesë e planit tonë”, ka thënë Agron Sokoli, producent ekzekutiv i “Stupcave”. Skeçi me titull “Ministrat tu knu te vorri i nanes” pjesë e serisë së skeçeve të tjera nën emrin “Pronto” – emër ky që rrjedh nga skandali i përgjimeve, në të cilat është përfshirë edhe kryeministri i vendit – është publikuar në “Youtube” për festat e fundvitit. Të njohur për stilin e ashpër të thumbimit të politikës kosovare, skeçi “Ministrat…” i realizuar nga “Stupcat” shpërfaq tre vëllezër, njëri ministër (Osman Azemi), tjetrit deputet (Mensur Safqiu) dhe i treti që merret me tenderë (Vedat Bajrami), teksa pas 12 vjetësh vizitojnë varrin e nënës së tyre.

“Me jetu po jetojmë mirë, pare kem bo. Me pa çfarë xhipa kemi. Babën ala se kem gjet se s’kemi pas vakt…”, është vetëm një nga dialogët e përfshirë në këtë skeç 9-minutash.

Ani pse e hequr nga kanali zyrtar i tyre në “Youtube”, videoja ende po gjen qarkullim në sajte tjerë. Një i tillë që ende po e shfaq skeçin është “Daily motion”. Që prej 31 dhjetorit të vitit 2011, në këtë sajt skeçi “Ministrat…” është klikuar afro 20 mijë herë dhe është shpërndarë nga afro 400 përdorues të rrjetit social “Facebook”. Pikërisht në këtë rrjet social, ka pasur reagime më të ashpra. Shumë prej komentuesve kanë thënë se ky skeç është i tepruar.

Për aktorin Osman Azemi ky skeç edhe mund të interpretohet se është i tepruar.“Është komentuar e është pëlqyer. Dikujt i është dukur se kemi tepruar, por është mbledhur bordi dhe e kemi diskutuar këtë punë, por për më shumë pyete Agronin (producenti v.j)”, ka thënë Azemi. Sipas tij skenari është i bazuar në një realitet të hidhur.

“Është pak e ndjeshme, por me e këqyr hollë e hollë ne kemi këso raste. Njerëzve ndoshta nuk u është dukur me vend sesi këndohet tek varri dhe skena ku gjuhen paratë, por është komedi”, ka thënë Azemi.

Për producentin dhe aktorin Arben Zharku, skena e këndimit, vallëzimit dhe hedhjes së parave mbi varr, në një hapësirë publike ku ka edhe varreza të tjera, i tejkalon suazat e një skeçi. “Ato varret tjera mund të jenë të dikujt tjetër dhe mund të preken. Nuk është fer e as profesionale të vallëzosh e të këndosh në atë formë në një hapësirë përplot varre ani pse është vetëm një skeç”, ka thënë Zharku. Sipas tij, kjo përbën edhe një shkelje të normave morale. “U ndjeva keq teksa e pashë videon dhe më shkoi ndërmend sesi mund të ndihen ata që i kanë familjarët e tyre të varrosur në atë vend”, ka thënë ai.

E producenti i “Stupcave”, Agron Sokoli, thotë se nuk kanë marrë ndonjë reagim negativ nga publiku në lidhje me këtë video. “Nuk kam marrë ndonjë reagim të tillë”, ka thënë Sokoli. Sipas tij, të njëjtin fat do ta kenë edhe videot e tjera të serisë së skeçeve “Pronto”. “Do t’i heqim herë pas here disa nga videot”, ka thënë ai. E regjisori i kësaj serie të skeçeve, Valter Lucaj, nuk ka dashur të komentojë heqjen e videos. “Është skeç edhe nuk ke çka me fol ma shumë edhe nuk ja vlen me fol”, ka thënë Lucaj.

E skeçi ka goxha fjalë dhe ka goxha pamje. Ai është xhiruar në një hapësirë përplot me varreza. Të tre zyrtarët e lartë, pasi që i tregojnë nënës së vdekur se si kanë bërë shumë para, kanë blerë shumë banesa, kanë porositur një krokodil për pishinën e tyre e deri tek ajo se si në emër të saj kanë votuar deri në 150 herë, të tre bijtë e zbulojnë sekretin se njëri nga ta ka qenë vjedhësi i “dhëmbit të saj prej ari”, teksa më vonë ia krisin këngës.

E muzika është tipike e stilit tallava. Fillimisht të tre zyrtarët nxjerrin nga xhepi një duq me para dhe fillojnë t’ia hedhin mbi varr. Situata bëhet më “gazmore” pranë varreve kur të tre ia krisin këngës dhe valles teksa këndojnë: “Vorri nanes lula plot, lula plot, djemt e tu po qajn me lot. Oj, oj, nane na po shkojm në parlament e ty Zoti gjenet”, këndojnë “Stupcat” pranë varrit. Ata edhe vallëzojnë goxha shumë, teksa ikin me veturën e tyre luksoze me regjistrimin “0Z-zzz-0Z”.