Skandali i pasaportave: Ambasada e SHBA-së e pranon se ka lobuar

Skandali i pasaportave: Ambasada e SHBA-së e pranon se ka lobuar

Skandali i pasaportave: Ambasada e SHBA-së e pranon se ka lobuarAmbasada e SHBA-së në Prishtinë dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë refuzuar ta bëjnë publike letrën e ish-ambasadorit, Christopher Dell, që ia kishte dërguar ministrit të Brendshëm Bajram Rexhepi lidhur me tenderin e pasaportave.

Në një përgjigje për “Kohën Ditore”, ambasada ka pohuar se ka lobuar për një firmë amerikane, por ka mohuar se ka ndërhyrë në tender. Ndërsa ministri Rexhepi ka thënë se nuk e ka këtë letër, derisa ka sugjeruar që ajo të kërkohet në ambasadën e SHBA-së në Prishtinë.

Ambasada ka treguar se është praktikë e Qeverisë së SHBA-së që të avokojë për kompani të saj, pa ndërhyrë në proceset tenderuese.

“Në përputhje me praktikën e Qeverisë së SHBA-së, Ambasada e SHBA-së lëshoi një letër standarde avokuese në mars të vitit 2011, në mbështetje të një kompanie nga SHBA-ja që merrte pjesë si nënkontraktuese në një tender për një kontratë të Qeverisë së Kosovës”, thuhet në këtë sqarim më të gjerë që e sjell sot Koha Ditore dhe ku mund të lexoni edhe të rejat e fundit lidhur me skandalin e tjetërsimit të 1.4 milion eurove për pasaportat biometrike.