lajme_thaci_tadic_189548_276332736

S’ka afat kohor për takimin Thaçi-Tadic

Hashim Thaçi dhe Boris Tadic janë të gatshëm për t’u takuar. Këtë ata e kanë bërë të ditur ditëve të fundit në prononcime për media. Që të dy kamë pohuar se janë takuar edhe më herët dhe nuk kanë barriera për të bërë një gjë të tillë sërish.

I pari që ka folur për një takim të tillë ditëve të fundit është Kryeministri Thaçi. Këtë e ka bërë edhe të premten.

“Realisht, kjo nuk është hera e parë e deklarimeve të tilla. Është e nevojshme, është e domosdoshme për interesin e dy shteteve, dy popujve tanë, të paqes, të stabilitetit, bashkëpunimit rajonal, të ketë takime të liderëve politikë të zgjedhur në mënyrë legjitime të shteteve përkatëse”, ka thënë Thaçi në një intervistë për REL.

Në Qeverinë e Kosovës nuk mohohet mundësia për një takim mes Thaçit dhe Tadic.

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka thënë për Express se nuk ka ndonjë afat kohor për një takim të tillë.

“Nuk është menduar për ndonjë afat, por e çmojmë si vullnet për marrëdhënie normale në mes të dy shteteve dhe popujve”, ka thënë Kuçi.