Sindroma metabolike

Sindroma metabolike

Sindroma metabolikeTermi sindromë metabolike përdoret për të përshkruar një spektër të gjerë çrregullimesh metabolike që manifestohen në mënyrë klasike me rritjen e nivelit të sheqerit në gjak, me rritjen të yndyrave, vlera të larta të tensionit arterial dhe dhjamosje trupore, të shfaqura së bashku tek i njëjti person.

Ass.Edmond Haliti, MD
Specialist i Mjekësisë Interne-QKUK–Klinika e Kardiologjisë me Angiologji
Asistent në lëndën e Mjekësisë Interne-UP-Fakulteti i Mjekësisë

Studimet e shumta kanë vërtetuar se gjetja së bashku e këtyre çrregullimeve tek një pacient i caktuar, e rritë në mënyrë të jashtëzakonshme rrezikun për t’u prekur nga sëmundjet kardiovaskulare aq shumë të shprehur sot, siç janë infarkti i miokardit apo sulmi në zemër, insulti cerebrovaskular apo sulmi në tru, e në rastin më të rëndë edhe vdekja e papritur.

Ky koncept relativisht i ri paraqet vetëm një grupim të këtyre faktorëve në një sindromë të vetme, e njohur ndryshe edhe si sindroma “X”, sindroma dizmetabolike, sindroma e rezistencës insulinike, sindroma Reaven, diabezitet ose “kuarteti” vdekjeprurës, ndërsa si faktorë të veçantë të rrezikut kardiovaskular ata janë të njohur prej një kohe të gjatë.

Në mënyrë të përmbledhur sindroma metabolike përfshinë:
* Rezistencën ndaj insulinës së prodhuar nga vet organizmi, e që rezulton me rritjen e sheqerit në gjak (hiperglikemi), e manifestuar klinikisht si çrregullim i tolerancës ndaj sheqernave (pre-diabet) ose si diabet i sheqerit;
* Vlera të rritura të tensionit arterial sistolik dhe/ose diastolik
* Obezitet i tipit qendror ose abdominal (me bark të rritur)
* Rritjen e fraksionit LDL dhe uljen e HDL kolesterolit në gjak
* Rritjen e triglicerideve në gjak

Ka të dhëna diskutabile në lidhje me gjetjen poashtu te këta pacientë të aftësisë së rritur për mpiksje të gjakut (hiperkoagubilitetit) dhe prezencës minimale të proteinave me peshë të ulët molekulare në urinë (mikroalbuminurisë), si komponente shtesë të kësaj sindrome.
Shumica e këtyre gjendjeve patologjike janë asimptomatike (të heshtura) për një kohë të gjatë, por ato mund të zbulohen lehtësisht nga mjeku juaj gjatë një ekzaminimi klinik të kujdesshëm, të ndihmuar edhe nga disa analiza të thjeshta laboratorike.

Gjetja e më shumë se tre nga gjithsejtë pesë faktorët e lartpërmendur, është më se e mjaftueshme për diagnostikimin e saj.Sëmundjet e tilla si hipertensioni, hiperlipidemia, diabeti dhe dhjamosja janë mjaft të shpeshta në kohët moderne, madje në një rritje të vazhdueshme si në vendet e zhvilluara e me standard të lartë jetësor, ashtu edhe në ato në zhvillim. Sindroma në fjalë llogaritet të prek 20-30% të popullatës me moshë mesatare dhe asaj të vjetër.

Prek të gjitha racat njerëzore. Megjithatë paraqitja në grup e këtyre komponentëve në formë të sindromës metabolike është më e shpeshtë tek raca e bardhë, ndërsa gjetja e tyre veç e veç është më e lartë tek jo të bardhët.
Meshkujt preken më shpesh në moshën e mesme, ndërsa pas menopauzës prevalenca rritet edhe te femrat, me tendencë barazimi rreth moshës 65 vjeçare. Në moshën e mesme vërehet një korelacion statistikisht më i rëndësishëm në mes të sindromës metabolike dhe rrezikut për sëmundje kardiovaskulare në krahasim me moshat më të vjetra, përkundër faktit të njohur që me rritjen e moshës rritet morbiditeti dhe mortaliteti nga sëmundjet kardiovaskulare.

Mjekimi dhe parandalimi
Meqenëse bëhet fjalë për shkaqe të shumëfishta (jo krejtësisht të qarta) që shkaktojnë sindromën metabolike, është e kuptueshme se edhe parandalimi e mjekimi i kësaj sindrome duhet të bëhet njëkohësisht në disa drejtime.

Sigurisht që do të ishte shumë e rëndësishme dhe kosto-efektive parandalimi i elementeve të veçanta të sindromës para se ato të shfaqeshin klinikisht, duke ulur kështu rrezikshmërinë e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë kardiovaskulare të kësaj pjese të popullatës.

Megjithatë, edhe nëse sindroma metabolike tashmë është shfaqur tek një pacientë, duhet këmbëngulur në mjekimin sa më të hershëm dhe menaxhimin e duhur të secilit komponent veç e veç me metodat bashkëkohore dhe barin përkatës.
Ky mjekimi konsiston fillimisht në modifikimin e stilit të jetesës sipas standardeve tashmë të njohura për një dietë të balancuar dhe të shëndetshme, një aktivitet fizik sistematik (ecje e shpejtë, çiklizëm, ushtrime aerobike, not), rënien në peshë, ndërprerjen e duhanit si dhe menaxhimin e stresit. Hallka e dytë, por shumë e rëndësishme në mjekimin e kësaj sindrome, është padyshim mjekimi farmakologjik (me barëra).

Ndër barnat që përdoren më së shumti në këto raste janë barnat e ndryshme kundërdiabetike (tabletat ose/dhe insulinë), kundërhipertensive, hipolipemike dhe aspirina. Në raste më të rralla mund të paraqitet nevoja eventuale për psikoterapi ose ndërhyrje kirurgjike.
/Telegrafi/