Silvio Berlusconi “mban peng” qeverinë italiane

Silvio Berlusconi “mban peng” qeverinë italiane

Silvio Berlusconi “mban peng” qeverinë italianeKryeministri italian, Enrico Letta, është përpjekur të hënën të ulë tensionet ndërmjet partisë së tij dhe formacionit të Silvio Berlusconit, i cili ka kërcënuar me tërheqje nga koalicioni qeveritar, pra me rënien e qeverisë, në rast se biznesmenit i hiqet mandati i senatorit.

Marrëdhëniet ndërmjet Partisë Demokrate (qendra e majtë) dhe Popullit të Lirisë (PDL, konservatore), të cilat janëbërë bashkë në një koalicion të madh qeveritar, i formuar në prill pas zgjedhjeve parlamentare të fillimvitit, të cilat kanë rezultuar pa fitues, nuk kanë qenë kurrë në këtë pikë të krizës.

Senati duhet të deklarohet në tetor rreth marrjes së mandatit të z. Berlusconi pas dënimit të tij për mashtrime tatimore në kuadër të perandorisë së tij “Mediaset”. Një komision senatorial do të nisë më 9 shtator seancën dëgjimore ndaj Silvio Berlusconit për të vendosur më pas rreth përjashtimit të tij të mundshëm.

Të mbledhur gjatë vikendit në vilën milaneze të magnatit të biznesit, anëtarë të PDL-së kanë vlerësuar se është “e paimagjinueshme” që ish-shefi i qeverisë të detyrohet ta braktisë ulësen e senatorit. Ata kanë kërcënuar se do ta rrëzojnë qeverinë e Enrico Lettas në rast të përjashtimit nga Senati të z. Berlusconi.

Njëra prej aleateve më besnike të ish-kryeministrit, deputetja Daniela Santanche në një intervistë për gazetën “La Repubblica” ka deklaruar se qeveria Letta mund të bjerë. “Nuk ka zgjidhje tjetër pos krizës qeveritare, sepse të tjerët kanë vendosur t’ia privojnë të ardhmen politike një lideri për të cilin kanë votuar miliona italianë”, ka theksuar ajo. Ndërsa, Angelino Alfano, sekretar i PDL-së, kishte deklaruar javën e kaluar se partia e tij mund ta rrëzojë qeverinë nëse Partia Demokrate vendosë ta përjashtojë Berlusconin nga Parlamenti.

“PD kundërshton çdo shantazh dhe çdo ultimatum nga ana e PDL-së”, ka theksuar Guglielmo Epifani, sekretar i përgjithshëm i formacionit të qendrës së majtë, i cituar të hënën nga gazeta “La Repubblica”. “Berlusconi duhet ta kujtojë atë që e çoi te dënimi dhe duhet të shpjegojë pse duhet ta rrëzojë qeverinë në kohë krize”, ka shtuar ai, duke ritheksuar se partia e tij do të votojë pro përjashtimit të z. Berlusconi nga Parlamenti.

Sipas z. Epifani, një skenar i tillë do të kishte një “kosto të rëndë” për shoqërinë italiane në kohën kur ekonomia e tretë e Eurozonës po tregon shenja të rimëkëmbjes pas dy vjet recesioni.

Dy formacionet kryesore që janë pjesë e qeverisë kanë mosmarrëveshje të mëdha edhe rreth IMU-së, taksa rreth banesës kryesore, heqjen e të cilës e kërkon PDL me gjithë pasojat që do të kishte një vendim i tillë në buxhetin e shtetit. Çështja është diskutuar të hënën ndërmjet Enrico Lettas me sekretarin e përgjithshëm të PDL-së, Angelino Alfanos, i cili është zv.kryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme, dhe dy ministrave të tjerë, Fabrizio Saccomani (i Ekonomisë) dhe Graziano Delrios (i Çështjeve Rajonale).