|

Si u thye protokolli?

Vizita e presidentit kroat Stipe Mesiq në Kosovë, si një mik i shqiptarëve, i cili ka kontribuar shumë për ne, është mirëpritur një kohë të gjatë.


Por, vështirësitë më të mëdha, si duket, kanë qenë rreth protokollit, ndërkaq pika më eklatante ka qenë takimi në Odën Ekonomike dhe me komunitetin e biznesit.

Situata ishte aq e paqartë, sa në disa momente ishte vënë në pikëpyetje nëse do të bëhej vizita në këtë institucion apo jo. Derisa protokolli shtetëror e parashihte vizitën në OEK, grupe të caktuara, për interesa të pista, bënin presion nëpërmjet lidhjeve të tyre amorale që kjo vizitë të mos zhvillohej në OEK, por diku tjetër.

Megjithatë, OEK-u dhe ambasada ngulën këmbë që ta ndalojnë hovin e këtij grupimi dhe më në fund u vendos që takimi të mbahej aty. Mirëpo, grupi tjetër nuk e pranonte një realitet të tillë dhe me çdo kusht dhe mjet dëshironte ta impononte skenarin e vet. Dëshmitarë të kësaj ishin mbi 100 veta në sallën e stërmbushur të Odës.

Sipas protokollit zyrtar, ishte paraparë të mbahen tri fjalime. E para, ajo e kryetarit të Odës, Besim Beqaj, pastaj e presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe në fund e presidentit kroat, Stipe Mesiq.

Çdo gjë filloi sipas planifikimit, me ç’rast Beqaj në fjalën e tij foli për bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve në të kaluarën dhe tani, si dhe për avancimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen. Më pas, fjala iu dha presidentit Sejdiu, kurse ky, për hir të nikoqirllëkut, fjalën ia dha presidentit kroat, Mesiq.

Në këtë rast fillon skenari i dytë, e në vend të presidentit Mesiq, fjala i jepet nënkryetares së Odës Ekonomike të Kroacisë, znj. Dunja Konjevod. Të gjithë ishin të zënë në befasi, madje edhe delegacioni kroat në përcjellje të presidentit. Kulmi i krejt kësaj arrin kur Konjevod dhe Iliriana Shehu, me krenarinë më të madhe, me shumë pompozitet dhe pa fije turpi, prezantuan gjoja hapjen e një firme të parë kosovare në Kroaci.

Kështu vizita po përdorej edhe për marketing të një grupimi të caktuar. Me këtë rast, po e citoj një thënie të presidentit Mesiq, të cilën më ka rënë shpesh ta dëgjoj, “sa qesharake, aq tragjike”. Kështu, firma e hapur në Kroaci qenka ACDC, e mirënjohur në Kosovë për monopol në tenderët e KEK.

Me këtë rast, kompanisë iu dha një medaljon, kurse cinizmi më i madh është kur i thotë “të kisha puthur zemër, por nuk di çka mendojnë të tjerët”. Apo kur i thotë “të lutem, tregojua mediave sa më shumë këtë medalje”. E tëra kjo e dëshmon faktin se në Kosovë, edhe protokollet shtetërore nuk janë absolute dhe grupime të caktuara, për interesa të tyre, mund të ndërhyjnë në to. Kjo i ka irrituar biznesmenët e shumtë të Kosovës, të cilët ishin të pranishëm në sallë, biznese këto të cilat kontribuojnë në buxhetin e shtetit pothuaj në masën 80 për qind.

Kjo hodhi edhe një herë në shesh grupe të interesave të pista, që gjithnjë e më tepër po arrijnë të depërtojnë që në një mënyrë të blejnë çdo gjë, madje edhe protokollin e shtetit kroat.

Në takimin me komunitetin e biznesit, në vend të presidentit Mesiq, fjala i jepet nënkryetares së Odës Ekonomike të Kroacisë, znj. Dunja Konjevod. Të gjithë ishin të zënë në befasi, madje edhe delegacioni kroat në përcjellje të presidentit. Kulmi i krejt kësaj arrin kur Konjevod dhe Iliriana Shehu, me krenarinë më të madhe, me shumë pompozitet dhe pa fije turpi, prezantuan gjoja hapjen e një firme të parë kosovare në Kroaci

Etiketa: , ,

Komentoni