Si të jetosh shëndetshëm

Si të jetosh shëndetshëm

Si të jetosh shëndetshëmShëndeti para së gjithash! Ky postulat është më aktual se kurrë.

Në ditët e sotme kur mbipesha po shndërrohet në një nga sëmundjet më të rrezikshme në botë, rekomandimet që të jetojmë shëndetshëm janë të shumta. Një faktor i rëndësishëm për të pasur shëndet të mirë është të hash gjërat e duhura në masën e duhur.

Mjeku endokrinolog Dashamir Gjergji tregon faktorët që ndikojnë në përcaktimin e një diete: “Kur sugjerojmë një dietë, kemi parasysh disa faktorë: moshën, gjininë, aktivitetin fizik që kryhet, mënyrën e jetesës etj.” Që të zgjedhësh ushqimet e duhura për të ngrënë e mira është që të konsultohemi me mjekun specialist.

Informacionet që merren nëpërmjet internetit shpeshherë nuk janë të sakta dhe mund të sjellin pasoja negative në shendet. Por cila është dieta që duhet të ndjekë një person për të pasur një shendet normal? “Mëngjesi duhet të jetë i detyrueshëm.

Në drekë nuk duhet të hamë shumë kalori, ndërsa në darkë duhen vakte të lehta”, shpjegon doktor Gjergji. Por në shumë raste dieta ushqimore nuk është e mjaftueshme për të rënë nga pesha apo për të mbajtur një trup në formë. Nëse do të mendonit për pak sport dhe fitnes, zgjedhja më i mirë është pa diskutim noti.

Përveçse përbën një sport të sigurt në forcimin e zemrës, muskujve dhe rritjen e fleksibilitetit, të notuarit është një tjetër alternativë në rritjen e cilësisë së jetës. Ndryshe nga sportet e tjera noti ka më shume aventurë, fitnes dhe argëtim duke thyer kështu rutinën e ditës suaj.

Traineri i notit Shpëtim Hoxha tregon disa nga arsyet përse duhet të notojmë: “Noti përmirëson të gjitha pjesët e trupit dhe ul rrezikun e obezitetit.” Noti përbën sportin më gjithëpërfshirës, duke bërë të mundur vënien në lëvizje të të gjithë trupit. Në sajë të lëvizjes së të gjitha gjymtyrëve të trupit, pas një senace noti do të ndiheshit më aktiv dhe energjik. Noti ofron diçka që asnjë ushtrim tjetër aerobik nuk mund ta ofrojë: mundësinë të lëvizni çdo pjesë të trupit dhe të mos krijoni presion në sistemin skeletor!

Por noti jep një ndihmesë shumë të madhe në rimodelimin e muskujve të barkut. Një tjetër sport që të ndihmon në mbajtjen e trupit në formë dhe njëkohësisht të argëton është tenisi. Një sport në dukje i vështirë, por siç tregon trajneri Fatos Nallbani është një nga sportet më të lehta.

Përmes tij arrihet një aktivizim i gati të gjithë muskujve, ku pjesa e barkut ka një rëndësi të veçantë: “Muskujt e barkut janë të rëndësishëm në tenis dhe duke luajtur ato zhvillohen shumë. Shumë njerëz mendojnë se ngarkesa kryesore është tek krahu dhe tek shpatullat, por nuk është e vërtetë”, transmeton tch. Ata që nuk kanë kohë të merren me aktivitete sportive mund të gjejnë zgjidhje në palestër. Mundësitë që të ofrohen aty janë të shumta.

Instruktori Erind Koni tregon se në shumë raste njerëzit nuk janë të informuar me atë se çfarë të ofrohet në palestër: “Nga mungesa e informacionit, njerëzit largohen nga palestra. Mendojnë se në palestër dëmtohesh, por palestrat kanë instruktorë që të orientojnë mirë.” Në paletër të gjithë duan të nxjerrin në pah muskujt për të pasur një trup perfekt. Ndër pjesët më të vështira janë muskujt e barkut. Rezultati i tyre nuk mund të jetë i shpejtë dhe kërkohet të punohet me teknika shumë të kujdesshme. Ushiqmi i zgjedhur dhe aktivitet fizik, sekreti për një trup të shendetshëm.