Si po dështojnë projektet monoetnike të qeverisë Gruevski

Si po dështojnë projektet monoetnike të qeverisë Gruevski

Gjykata Kushtetuese me iniciativë të shoqërisë civile shqiptare po dështon projektet monoetnike dhe monofetare të Qeverisë aktuale në Maqedoni, të udhëhequr nga kryeministri, Nikolla Gruevski.

Fillimisht kushtetuesja abrogoi ligjin kontrovers dhe përjashtues për stimulimin e natalitetit, ndërsa të mërkurën anuloi edhe vendimin për mësimin e maqedonishtes për nxënësit shqiptar nga klasa e parë.

Organizatat joqeveritare në Maqedoni e mirëpresin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të anuluar vendimin skandaloz të Ministrit të Arsimit Todorov për imponim të gjuhës maqedonase për nxënësit shqiptar nga klasa e pare.

Lëvizja Zgjohu thotë se ky ishte vendimi i vetëm i drejtë i mundshëm dhe rrjedhimisht duhet të rezultojë me dorëheqjen e menjëhershme të Ministrit Todorov.

ZGJOHU! gjykon që çdo vendim i institucioneve të vendit, në veçanti ato që prekin marrëdhëniet ndëretnike, duhet të merren me pëlqimin e shqiptarëve në Maqedoni.

“Të gjithë projektet përjashtuese do të dështojnë ashtu siç dështoi Enciklopedia, ligji për natalitet dhe mësimi i gjuhës maqedonase”, vlerëson Zgjohu.

Edhe Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropiane (OBRIE) mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar vendimin antiligjor të ministrit Todorov për mësimin e maqedonishtes nga klasa e parë. OJQ-të shqiptare apelojnë që qeveria aktuale të heq dorë nga projektet antishqiptare të cilat mund të tensionojnë marrëdhëniet ndëretnike në vend.

Iniciativa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji ishte ngritur nga organizata joqeveritare ‘Realiteti’ dhe Rinia Demokratike Shqiptare. /INA/