Shuhet Gjergj Antoniu, themelues i Akademisë së Arteve

Shuhet Gjergj Antoniu, themelues i Akademisë së Arteve

Ndahet nga jeta violonçelisti i njohur Gjergj Antoniu, një ndër emrat kryesorë që themeluan Akademinë e Arteve të Bukura të Shqipërisë.

Antoniu vdiq në moshën 63 vjeçare pasi vuante prej disa vitesh nga një sëmundje e rëndë veshkash, raporton noa.al.

Gjergj Antoniu është kuruar për vitet të tëra në Greqi, SHBA, etj., i thanë agjencisë noa.al përfaqësues të Akademisë së Arteve që sqaruan se kanë vendosur të organizojnë homazhet dhe ceremoninë e varrimit të të ndjerit.

Homazhet do të bëhen të shtunën në orën 15.00 në Akademinë e Arteve dhe në orën 16.00 trupi i të ndjerit do të përcillet për në banesën e fundit.

Autorja e një monografie për Gjergj Antoniun, “Një jetë me violonçel”, Iliriana Dema, është shprehur kështu për Antoniun: “Gjithë vepra artistike e Gjergj Antoniut e realizuar në këto 35 vite, është dëshmia më e mirë, përmes së cilës gjen shpjegimin më të plotë thelbi i tij si njeri, artist dhe intelekt. Vështirë se gjendet një interpretues i dytë në Shqipëri, që në zigzaget e veta të ketë ruajtur një të tillë qëndrim konstant e në vazhdimësi ndaj instrumentit”.

Gjergj Antoniu u lind në Tiranë në vitin 1949. Ai i mori mësimet e para në vitin 1956 në Liceun Artistik “Jordan Misja” të kryeqytetit. Në vitin 1967 u laureua. Dalja e tij e parë në publik ishte më 30 mars 1958 kurse më 1967 ai luajti si solist me orkestrën e TOB-it, kur punonte me profesorin e tij, Ymer Skënderi. Pasi përfundoi studimet e larta ai ishte dhe një ndër themeluesit e Institutit të Lartë të Arteve, më tej Akademia e Arteve të Bukura dhe tani Universiteti i Arteve.

Për herë të parë me çmim u nderua në Koncertet e Majit me titullin Artist i Merituar në vitin 1986. një vit më pas mori çmimin Tefta Tashko Koço.

Kurse titullin profesor e mori më 1999. Në jetën e tij artistike numërohen të paktën 11 CD që kanë dalë për publikun. Shumë emra të sotëm të muzikës kanë dalë nga bangot e studimit me të ndjerin Antoniu.