Shuarja e zejeve tradicionale të Prizrenit shqetëson edhe institucionet

Shuarja e zejeve tradicionale të Prizrenit shqetëson edhe institucionet

Shuarja e zejeve tradicionale të Prizrenit shqetëson edhe institucionetRreziku konstant për shuarjen e mundshme të zejeve të vjetra e karakteristike të Prizrenit i ka detyruar zanatlinjtë që të propozojnë forma alternative për ruajtjen e traditës artizanale të qytetit.

Krijimi i një qendre të zanatlinjve nga ta shihet si shpëtimi i vetëm për zejet e moçme, të cilat janë në prag të falimentimit, meqë nuk mund t’i bëjnë ballë konkurrencës, që vjen si pasojë e zhvillimit të teknologjisë. 

“Duke i marrë për bazë trendët aktuale, themelimi i qendrës së zanatlinjve, në të cilën hapësirë çdo turist do të kishte rastin që të shohë krijimin e suvenireve e punimeve nga mjeshtrit në mënyrë direkte, do të ishte një hap i duhur në drejtim të ruajtjes së traditës prizrenase”, ka thënë zejtari Nevruz Dajçi. Ai ka shprehur bindjen se autoritetet komunale duhet të formojnë një komision për evidentimin e zanateve që janë aktive dhe gjysmë aktive, në mënyrë që më pastaj të lehtësohet sistemimi i tyre në qendrën e zanatlinjve.

Sipas tij, artizanalet e Prizrenit janë të barasvlershme me artin, meqë këto punime janë shprehje e zemrës të artikuluar përmes shkathtësive të duarve të mjeshtërve të vyer. “Prandaj, edhe Drejtoria e Kulturës dhe e Arsimit duhet të mendojë që të krijojë ndonjë klasë për zanate në shkollat e mesme profesionale”, ka deklaruar ai.

Qendra për Promovim, Demokratizim dhe Integrime javë më parë ka realizuar një  hulumtim në lidhje me gjendjen aktuale të zejeve të vjetra në Prizren dhe rezultatet e dala nga anketimi kanë treguar se situata aktuale nuk është e favorshme, ndërkohë që e ardhmja duket të jetë edhe më e zymtë për veprimtaritë prodhuese tradicionale. QPDI-ja ka vlerësuar se ringjallja e zanateve mund të jetë bazë mbi të cilën Prizreni mund të ndërtojë partneritet me qytetet tjera të rajonit dhe në këtë mënyrë të stimulojë revitalizimin e trashëgimisë dhe ekonomisë lokale.

Ndërkaq Bari Zeneli nga Akademia për Trajnime dhe Asistencë Teknike ka përkujtuar se ringjallja e zanateve mund të jetë një ndërmarrje ambicioze, prandaj dhe duhet analizuar mirë, me qëllim që të ndërmerren veprimet e duhura dhe të qëndrueshme. Qasja pragmatike, sipas tij, duhet të orientohet drejt mobilizimit të institucioneve dhe të shoqërisë për përkrahjen e zanateve në zhdukje, të cilat mund të sendërtojnë një potencial socio-ekonomik në një qendër kulturore siç është Prizreni. “Prodhimi duhet të jetë në formë të suvenireve dhe në një qendër të caktuar, ku ato do t’u ofroheshin drejtpërdrejt turistëve”, ka thënë Zeneli.

Duke i marrë për bazë këto, zyrtari i turizmit në komunën e Prizrenit, Bajram Basha e ka cilësuar si të qëlluar idenë për themelimin e Qendrës së Zanatlinjve, ku vizitorët e qytetit do të kishin një qasje më të lehtë në zejet e vjetra. Ai u ka bërë thirrje zejtarëve prizrenas që të jenë më aktivë në mbrojtjen e interesave të tyre.

Kohë më parë drejtori i Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Samir Hoxha, pati premtuar se ekzekutivi komunal do të ofrojë lehtësime për zejtarët si dhe do të angazhohet për krijimin e kushteve më të mira të punës, “përfshirë këtu edhe sigurimin e lokaleve për ekspozim dhe shitje të prodhimeve artizanale”. Ai ka përkujtuar se ata janë liruar prej taksave komunale tash sa vjet. Bashkëdyzimi i kulturave, religjioneve e etnive të ndryshme ka bërë që edhe krijimtaria materiale në Prizren të jetë e llojllojshme, me mjeshtër të shumtë të prodhimeve artizanale që janë shquar me dekorimet e tyre. Zejtarët e Prizrenit përgjatë shekujsh janë dalluar me shkathtësitë e tyre, duke e bërë qytetin një nga qendrat e rëndësishme zejtare të Ballkanit. Madje ndarja e rrugëve ose e pjesës së çarshisë është bërë sipas llojit të zanateve. Prej zejeve më të përhapura ishin: zeja e armëtarisë (dyfekxhinjve), argjendarisë (kujumxhinjve), lëkurëtarisë (tabakëve), shalpunuesve (saraçëve), farkëtarëve, kazanxhinjve, briskaxhinjve, terzive, nallbanëve, kazazëve…

Mirëpo zhvillimi i teknologjisë dhe kalimi nga manifaktura në industri ka bërë që interesimi për punët e dorës të zbehet, duke shtyrë një numër të këtyre zejeve drejt shuarjes. Megjithatë në qytetin e Prizrenit ende ka mjeshtër që me duart e tyre krijojnë ekzemplarë të rrallë dekorimesh e produkte që përdoren në jetën e përditshme, apo edhe që shërbejnë si suvenire.