Shtyhet vendimi për rritjen e rrogave dhe pensioneve

Shtyhet vendimi për rritjen e rrogave dhe pensioneve

Shtyhet vendimi për rritjen e rrogave dhe pensioneveAs dje nuk u bë pjesë e vendimarrjes qeverisëse rritja e rrogave dhe pensioneve edhe pse Berisha deklaroi para pak ditësh në faqen e tij në Facebook se do ti rrisë pagat dhe pensionet. Kryeministri në ikje disiplininon shpenzimet. Asnjë prokurim publik duke nisur nga 15 korriku.

Kryeministri demokrat që e ka dorëzuar tashmë këtë mandat më 23 qershor, vijon të mbledhë kabinetin e tij dhe të marrë vendime qeveritare. Por ashtu sic gazeta Dita paralajmëroi pak ditë më parë, këtë radhë vendimi ishte për disiplinimin e të ardhurave buxhetore, propozuar pak ditë më parë nga Ministria e Financave.

Të gjitha njoftimet për prokurime të mundshme publike gjatë kësaj kohë mund të bëhen vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave. Kështu thoshte të paktën vendimi i djeshëm i qeverisë, ku cilësohet se “duke nisur nga data 15 korrik 2013, botimi i çdo lloj njoftimi për prokurim të fondeve buxhetore për shpenzime kapitale dhe korrente të njësive të qeverisjes së përgjithshme, sipas përcaktimeve në ligjin nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, bëhet vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave”.

Në këtë vendim qartësohet se botimi i çdo lloj njoftimi, duke përfshirë këtu edhe negocimin pa publikim, me përjashtim të njoftimit të kontratës së nënshkruar, për prokurim të fondeve buxhetore për shpenzimet kapitale dhe korrente të njësive të qeverisjes së përgjithshme do të bëhet vetëm më vendim të Këshillit të Ministrave.

Nga ky rregull do të përjashtohen fondet buxhetore që shkojnë për shërbimin e ushqimit apo medikamenteve, në ato njësi ku kryhet ky shërbim, prokurimet për blerjet e vogla, ku hyjnë blerjet deri në 10 mijë lekë dhe investimet nga të ardhurat e realizuara nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme.

Gjithashtu reduktohen shpenzimet operative e të gjitha njësive më 20 për qind, reduktohet 30 për qind masa e mbulimit të shërbimit të telefonisë celulare për të gjithë ata që përfitojnë, fondet e papërdorura për pagesën e telefonisë fikse, për periudhën e mbetur përgjysmohen, si dhe hiqen pagesat e anëtarëve të bordeve të ndryshme.

Ky vendim vjen në një kohë të vonuar, pasi në gjashtë muajt e parë të vitit u rritën mbi planifikimin shpenzimet publike, ndërkohë që të ardhurat nuk janë realizuar sipas parashikimit, duke ndikuar në rritjen e deficitit buxhetor. Ky vendim hyn menjëherë në fletorën zyrtare.

Por as dje nuk u bë pjesë e vendimarrjes qeverisëse rritja e rrogave dhe pensioneve edhe pse Berisha deklaroi para pak ditësh në faqen e tij në Facebook se do ti rrisë pagat dhe pensionet.

Madje për këtë u hartua dhe një projekt vendim mbi rritjen e tyre, nivelet dhe kush përjashtohej, edhe pse pas zgjedhjeve Ministria e Financave u deklarua në një farë mënyre se nuk do të ketë rritje pagash dhe pensionesh. Por pasi u fol nga Berisha që rritja do të bëhet erdhi reagimi i menjëhershëm i mazhorancës së pas 23 qershorit, duke e cilësuar si shpenzim të pamenduar dhe që do të thellojë borxhin publik. Kjo theksojne burime pranë Ministrisë së Financave ka cuar në një kalim në heshtje të kësaj rritje, me pretendimin e shtyrjes deri në dorëzimin e celësave ministrorë.

Ja c’thotë vendimi i djeshëm

1. Duke nisur nga data 15 korrik 2013, botimi i çdo lloj njoftimi për prokurim të fondeve buxhetore për shpenzime kapitale dhe korrente të njësive të qeverisjes së përgjithshme, sipas përcaktimeve në ligjin nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, bëhet vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave.

2. Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes (602 dhe 605) të njësive të qeverisjes qendrore, të pakontraktuara deri në datën 15 korrik, pasi të zbriten fondet për pagesën e energjisë elektrike, ujit dhe telefonisë, ngurtësohen në masën 20 për qind të pjesës së mbetur.

3. Reduktohet 30 për qind masa e mbulimit të shërbimit të telefonisë celulare për çdo përfitues nga vendimi nr.864, datë 23.7.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për pajisjen me numër telefoni celular të personave juridikë, publikë”.

4. Fondet e papërdorura për pagesën e telefonisë fikse, për periudhën e mbetur, reduktohen në masën 50 për qind në të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme, nëpërmjet përgjysmimit të limeteve mujore për çdo përdorues.

5. Fondi i veçantë i planifikuar në njësitë e qeverisjes së përgjithshme nuk përdoret deri më 2 dhjetor 2013, përveç rasteve për ndihma të menjëhershme dhe të shpërblimit për daljet në pension pleqërie, në masën e përcaktuar në pikën 7, të vendimit nr.929, datë 17.11.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë”, të ndryshuar, pavarësisht nga masa e përcaktuar në akte të tjera ligjore e nënligjore.

6. Shpenzimet për udhëtim e dieta jashtë vendit për njësitë e qeverisjes së përgjithshme reduktohen duke lejuar financimin me fonde buxhetore vetëm të udhëtimeve të rëndësisë së veçantë, për aktivitete që përfshijnë titullarët e institucioneve qendrore ku pjesëmarrës mund të jenë ata vetë apo të deleguarit e tyre. (Institucione qendrore në kuptim të këtij kufizimi janë ministritë, institucionet në varësi të Këshillit të Ministrave dhe institucionet e pavaruara). Në rastin e pjesëmarrjes në konferenca apo aktivitete, për të cilat paguhet tarifë pjesëmarrjeje, merret paraprakisht miratimi i ministrit të Financave.

7. Trajnimet/seminaret/kurset jashtë vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për t’u mbuluar plotësisht apo pjesërisht me fondet buxhetore të miratuara për vitin 2013, bllokohen.

8. Fondet buxhetore të papërdoruara deri në miratimin e këtij vendimi për trajnimet/seminaret/kurset brenda vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për t’u mbuluar plotësisht apo pjesërisht me fondet buxhetore të miratuara për vitin 2013, reduktohen në masën 50 për qind .