f1_grandi1333091767

Shtyhet vendimi për “Grandin”, AKP-ja e pafuqishme

Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit është treguar i pafuqishëm për të marrë vendime të mëdha që prekin interesat e politikanëve. Të enjten anëtarët e këtij Bordi nuk kanë vendosur për ekzekutimin e vendimit për tërheqjen e aksioneve të hotelit “Grand”. Ata mohuan të ketë pasur presion politik apo korrupsion për marrjen e vendimit të dytë për shtyrjen e afatit për tërheqjen e aksioneve të kësaj ndërmarrjeje. 

“Për hotelin ‘Grand’, Bordi mori vendim që t’ia zgjasë afatin komisionit të formuar për “Spin-off”-et speciale deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit për të shqyrtuar dokumentacionin e blerësit të sjellë sot në agjenci. Si rrjedhojë është shtyrë ekzekutimi i vendimit për tërheqje të aksioneve”, tha kryetarit të Bordit të Drejtorëve, Dino Asanaj, në konferencën për media, të mbajtur të enjten.

Ai tha se personalisht ka qenë pro tërheqjes së aksioneve të kompanive të privatizuara me “Spin-off” special, blerësit e të cilave nuk i kanë përmbushur zotimet e dhëna gjatë privatizimit.

“Nuk ka të bëjë me korrupsion tek anëtarët e Bordit, por as me presion politik. Bordi është i pavarur. Në rastin e “Grandit” kohën e fundit ka pasur shumë dokumente dhe komisioni është duke punuar. Unë do t’ua jap fjalën anëtarëve të Komisionit të përgjigjen në këtë pyetje”, tha Asanaj.

Sipas anëtarit të komisionit të Bordit të AKP-së, Shkëlzen Llukës, të enjten në mëngjes, pronari legjitim i “Grandit”, Zelqif Berisha, ka sjellë në AKP dokumentacionin e kërkuar si dhe garancinë bankare.

Hoteli “Grand” ishte privatizuar me një çmim prej rreth 8 milionë eurosh, me zotimin se për dy vjet do të investoheshin rreth 20 milionë euro, si dhe punësimi i mbi 400 punëtorëve.

Anëtarët e Bordit thanë se blerësi i “Grandit” nuk ka më afat për sjellje të dokumentacioneve të reja.

“Tani vetëm do të shqyrtojmë validitetin e atyre dokumentacioneve dhe vlefshmërinë e fletëgarancisë”, tha anëtari i Bordit, Naser Osmani.

Muajin e kaluar Bordi pati marrë vendim për shtyrjen e afatit në bazë të një flete të sjellë si fletëgaranci e që më vonë është tërhequr nga ofruesi i kësaj flete. Për investimet në këtë hotel ka garantuar me 33 milionë euro Instituti Internacional i Financave “Interfin Ltd”, president i së cilës është zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli.

Blerësi zyrtar i hotelit, Zelqif Berisha, president i kompanisë “Silcapor”, ka pranuar se bashkëpronarë të hotelit janë edhe kompania “Mabetex” e Behxhet Pacollit dhe “Eurokoha” e Remzi Ejupit. Këtë fakt ai nuk e kishte pranuar për gjashtë vjet, edhe pse kishte pranuar se 60 për qind e hotelit ishte paguar nga paratë e këtyre dy kompanive, por frika se do të humbte investimin e tij e ka shtyrë atë të pranonte këtë fakt dhe investimet t’u lihen në duar “pronarëve të rinj”.

Për sa i përket fabrikës së duhanit “IDGJ Tobaco” në Gjilan, propozimi i administratorit dhe kompanisë blerëse, sipas rekomandimit të komisionit, është pranuar dhe se së shpejti do të finalizohen marrëveshjet e arritura.

“Vendimi për tërheqje të aksioneve shfuqizohet dhe presim të kemi një storie suksesi të radhës”, tha Asanaj.

Në mbledhjen e Bordit është diskutuar dhe miratuar vala e 55 e privatizimit, e cila publikohet muajin prill dhe mbahet në maj.

“Miratuam transaksionet e shitjeve përmes likuidimit nr. 11, miratuam themelimin e Autoritetit të likuidimit për ndërmarrje shoqërore, që nuk kanë pasuri dhe që nuk kanë kërkesa nga ana e kreditorëve, vendosëm që ndërmarrjet “Banja e Pejës”, “FBI Trepça-Pejë” dhe “Virgjinia”, të privatizohen me kushte specifike të parakualifikimit, ndërsa do të ketë promovim të veçantë për to, për NSh “Sharr Prodhimi”, e cila është vendosur më parë nën administrim direkt, miratuam themelimin e një bordi udhëheqës”, tha Asanaj.

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) në ceremoninë e hapjes së ofertave të valës 54 të privatizimit dhe shitjeve numër 12 përmes metodës së likuidimit shpalli rezultatet e ofertave të pranuara për ndërmarrjet dhe asetet e ndërmarrjeve shoqërore që ishin në dispozicion për shitje. Në valën 54 të privatizimit gjithsej janë pranuar 49 oferta, dhe vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 1 milion e 756 mijë euro. Për shitjen përmes likuidimit 12 gjithsej janë pranuar 67 oferta, dhe vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 1 milion e 943 mijë  euro.