Shtyhet sërish ligji për zgjedhjet , mungonin deputetët

Shtyhet sërish ligji për zgjedhjet , mungonin deputetët

Shtyhet sërish ligji për zgjedhjet , mungonin deputetëtNë mungesë kuorumi, Kuvendi i Kosovës ka shtyrë për një seancë tjetër diskutimin e Ligjit për Zgjedhjet. Partia në pushtet, largimin nga seanca e ka arsyetuar me pjesëmarrjen në përvjetorin e masakrës së Izbicës, transmetoi KTV.

Kryesuesi i seancës së sotme, Xhavit Haliti, ka thënë se pasi që të pranishëm në sallë ishin vetëm 32 deputetë, nuk mund të fillonte shqyrtimi i Projektligjit. Ai ka thënë se të hënën, Kryesia e Kuvendit do të vendosë për ditën se kur mund të diskutohet për këtë projektligj.

Ky projektligji pritet të diskutohet pas një procesi reformash të filluar që para tre vjetësh.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, që në fillim të seancës paralajmëroi mungesën e deputetëve të PDK-së. “Unë propozoj që seanca të shtyhet deri në orën 14, meqenëse e dimë se është përvjetori i masakrës së Izbicës dhe mua më kanë paralajmëruar deputetët që do të jenë atje”, tha Grabovci.

Propozimi i Grabovcit nuk u mor parasysh dhe Kuvendi vazhdoi punimet me shqyrtimin e deklaratës për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit dhe shoqërisë civile.

Deputetët shqyrtuan edhe raportin e Komisionit për Integrime Evropiane për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Ripranim, por Kuvendi nuk pati kuorum për votimin e asnjërës prej këtyre dy çështjeve të trajtuara.

Mungesa e deputetëve në seancat e Kuvendit, për të cilat marrin pagesa shtesë, tashmë është bërë e zakonshme. Pak pika të rendit të ditës përfundohen në përputhje me dinamikën, që e përcakton Kryesia, sepse përfaqësuesit e popullit ose shkojnë për të pirë kafe, ose në ndonjë punë private, por ka pasur shpesh edhe mungesë taktike të përfaqësuesve të grupeve parlamentare për qëllime partiake.