Shteti policor i Kosovës
Në mesin e të arrestuarve të shtunën në Podujevë ka qenë edhe një qytetar, që s’ka pasur fare të bëjë me protestën e Vetëvendosjes.
Në momentet kur policia kishte nisur përdorimin e forcës kundër aktivistëve të Vetëvendojes, banori 30-vjeçar i kësaj komune del i trishtuar nga shtëpia e tij në afërsi të Hotel Besianës, në magjistralin Prishtinë – Podujevë, dhe i lutet policisë: “Aman mos gjuani gaz lotsjellës në shtëpinë time se kam familje”, shkruan gazeta Zëri.
Kaq ka mjaftuar që pesë policë ta shtrijnë për tokë dhe t’ia vënë prangat. Ky rast, dëshmitarë të të cilit janë edhe plot gazetarë të Kosovës, konfirmojnë atë që e thotë edhe komunikata e KMDLNJ-së, policia e nxiti dhunën në ngjarjet e së shtunës.
Sipas gazetës, në disa raste është raportuar se forca e policëve kosovarë është përdorur edhe ndaj protestuesve që kanë qëndruar ulur dhe as që janë marrë me policinë.
Për përfaqësues të Organizatave Joqeveritare, ajo që ka ndodhur dje është shenja e parë e qartë e shtetit policor që nuk e duron protestën. Avni Zogiani nga “ÇOHU”, Krenar Gashi nga “Indep” dhe Petrit Zogaj nga Lëvizja “Fol”, i kanë thënë “Zërit” se ajo që ndodhi të shtunën është imitim i diktaturës që nuk e duron protestën e qetë të qytetarëve të vet.
“Nervoza e kryeministrit Hashim Thaçi ka prodhuar dhunë. Thaçi dhe ministri i Brendshem Bajram Rexhepi, kanë kërcënuar me javë të tëra qytetarët e Kosoves. Fakti që në Kosovë është ndërtuar një pushtet antidemokratik është ekspozuar me këtë protestë. Qeveritë jodemokratike bazohen në forcë, sepse nuk kanë tjetër mënyrë për ta mbajtur kontrollin”, është vlerësimi që i bën ngjarjeve të djeshme njëri nga udhëheqësit e “ÇOHU”, Avni Zogiani.
Ndërkaq, vlerësimi i drejtorit të Institutit për Zhvillimin e Politikave, Krenar Gashi, vlerëson se “ajo që është parë të shtunën ka qenë një veprim i orkestruar i mekanizmave të shtetit, përfshirë këtu dhunën policore dhe propagandën e medieve të kontrolluara nga pushteti që të parandalojnë bllokadën e paralajmëruar të Lëvizjes Vetëvendosje”.
Vlerësim negativ për sjelljen e pushtetit dhe policisë kosovare bën edhe Petrit Zogaj nga Lëvizja “Fol”, i cili thotë se “Policia e Kosovës, nën udhëheqjen e ministrit Rexhepi ishte jashtë çdo funksioni publik, i cili funksion është i rregulluar me ligje të vendit”.
“Mendojmë që arroganca e ministrit Rexhepi është demonstruar sot mjaft qartë dhe se një sjellje e tillë është e papranueshme për një shtet që ka pretendime të funksionimit demokratik. Ndërhyrja ishte e panevojshme dhe e dhunshme karshi demonstruesve. Për me tej, ndërhyrja dhe dhuna e ushtruar ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës, është përtej çdo kompetence të forcave të rendit”.
Për Avni Zogianin, ndërkaq, arsyeja e këtij reagimi kaq të dhunshëm të pushtetit kosovar e sheh se “qeveria kosovare është kapur nga biznesi serb përndryshe ndalimi i kamionëve nga Serbia nuk do të duhej të shkaktonte një nervozë kaq të madhe të kryeministrit Thaçi”.
“Shtet Policor” diktatur e vitev 80-90ta ndaj protestusve politika si nat koh