|

“Shtëpia në ankand” e “Stacioni i fundit” kthehen me çmime nga Dibra

Shfaqja më e mirë që fitoi çmimin “Sulejman Pitarka” , u shpall “Shtëpia në ankand” e Teatrit Kombëtar të Kosovës – Prishtinë, çmimi  regjia më e mire u takoi regjisorëve  Florent Mehmeti e Lirak Çelaj për shfaqjen “Stacioni i Fundit” me autor po Lirak Çelaj – Teatri “Oda”- Prishtinë, raporton ‘Zhurnal’.

Aktorë më të mirë që fituan çmimin “Qemal Ajdini”, u shpallën  Marsela Lena, për rolin Afriditi në shfaqjen “Karnavalet e Korçës”- Teatri “Metroplit”- Tiranë dhe aktori Ard Islami për rolin Veba në shfaqjen “Shtëpia në Ankand”-Teatri Kombëtar i Kosovës- Prishtinë- Edicioni i 11-të   i Festivalit “Teatri Shqiptar në Maqedoni – Dibra 2012”, që u mbajt nga 5-10 tetor në Dibër, ku morën pjesë trupa teatrore nga Maqedonia, Shqipëria, Kosova, por edhe nga Komuna If e Francës dhe nga Teatri Shqiptar në SHBA “Alnatone” Productions, që festë kulturore për tërë artdashësit dibranë dhe mysafirët pjesëmarrës.

Secili artdashës do ta kishte preferuar të jetë në sallën e madhe të Qendrës për Kulturë  në Dibër në këtë eveniment kulturor  ku u dhanë 8 shfaqje. Natën e fundit të këtij evenimenti kulturor në mesin e të pranishmëve ishte edhe Musa Xhaferi, zv/ kryeministër në Qeverinë e Maqedonisë, i cili teatrit fitues i  dorëzoi çmimin “Sulejman Pitarka” çmim prestigjioz  i   këtij festivali.

Vehbi Qerimi, kryetar i jurisë profesioniste të këtij Festivalit shpalli fituesit e çmimeve, duke thënë se, “Juria profesioniste e këtij festivali  përcolli me kujdes dhe përkushtim  të madh prezantimin e shfaqjeve  të realizuara  nga teatrot  e ndryshëm të trevave shqiptare. Bëmë një vlerësim  analitik  përmes  metodologjisë krahasuese  me korrektësi e përgjegjësi profesionale  të veprave dramaturgjike skenike  në tërësinë e tyre dhe të hallkës kompozicionale në veçanti. Nga ky këndvështrim juria në mënyrë unanime ra dakord të shpallim më të mirët. Çmimi inkurajues  jepet  aktores   Xhejlane Tërbunja  për rolin  e Evës  në shfaqjen  “Killing me Foftly” të autorit  Aldo Nikollaj,  me regji të  Admir Gllamoçak, Teatri “Dodona”-  Prishtinë.  Çmimin aktorja joprotagoniste ë fitoi   Driada Matoshi,  për rolin e Artës  në shfaqjen “Shtëpia në Ankand”  të autorit e regjisorit Fadil Hysaj,  Teatri Kombëtar i Kosovës- Prishtinë. Çmimi aktori  joprotagonist ii takoi aktorit  Adrian Morina,  për rolin në shfaqjen “Stacioni i Fundit”  të autorit Lirak Çelaj me regji  Florent Mehmeti,  Teatri “Oda” – Prishtinë. Çmimi special iu dha Teatrit nga If i Francës për shfaqjen “Dhe krahët e mij janë grisur  si një fije letre”  me regji të  Fabienne Guerif.

Çmimi “ Qemal Ajdini” për aktorë më të mirë, i takoi aktores  Marsela Lena,  për rolin Afroviti në shfaqjen “Karnevalet e Korçës” të autorit Spiro Çomora me regji të   Elma Doresi –  Teatri “Metropolit” – Tiranë dhe aktorit Ard Islami,  për rolin Veba  në shfaqjen “Shtëpia në ankand”, Teari kombëtar i Kosovës-Prishtinë. Çmimi për regji më të mirë iu dha regjisorit Florent Mehmetit e Lirak Çelajt për shfaqjen “Stacioni i fundit” – Teatri “Oda” – Prishtinë. Çmimi “Sulejman Pitarka” për shfaqjen  me të mirë i takoi shfaqjes  “Shtëpia në Ankand”  të  autorit dhe regjisorit Fadil Hysaj – Teatri Kombëtar i Kosovës – Prishtinë.

Ndërkaq  në këtë mbrëmje u dhanë edhe mirënjohje kritikëve për vlerësimin e tyre të bërë vite me radhë pas çdo shfaqjeje. Mirënjohje u dha post mortum për Adriatik Kallullinm, kritikun e shquar të dramës, por edhe për kritikët Nebi Islami, Selajtin Salihu dhe Jodif Papagjoni, të cilët zhvilluan një debat  të vyer kritik çdo mbrëmje pas secilës shfaqje të prezantuar para publikut. Fadil Hysaj, autori dhe regjisori i shfaqjes fituese për gazetën “”Metropol” , deklaroi se, “ Ky festival arrin të sjell Shqipërinë , Kosovën e Maqedoninë në një hapësirë të këtillë të festivalit, energjia dhe vullneti i mirë, mikpritja jashtëzakonisht e ngrohtë e dibranëve ndaj trupave teatrore , bëjnë që  mangësitë teknike e hapësinore ekzistuese të sallës,  të kompensohen me ngrohtësi ,me mikpritje dhe  me një afërsi humane njerëzore,  që na bën të ndihemi mirë si artistë. Shfaqja ime “Shtëpia në Ankand”; arriti të depërtojë tek spektatorët dhe   u prit shumë mirë. Ky është shpërblimi më i mirë për mua. Duke folur për mesazhin e dramës, Hysaj, shto se, “Kjo dramë që ndodh në një familje kosovare figurativisht paraqet Kosovën në gjendjen e sotme . Unë e kam parë Kosovën në periudhën e pas luftës dhe të tranzicionit në një mbikëqyrje dhe administrim ndërkombëtar. Premiera e shfaqjes ka koinciduar edhe me ditën e takimit për përfundimin  e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës . Ky është aspekti politik që tregon se shfaqja vjen në kohën e duhur,  kur ajo pozitë pak a shumë nënçmuese,  kur dikush të rri e të tregon se si duhet ta administrosh shtëpinë tënde,  është pak e rëndë dhe e bën dikë të jet më i fuqishëm se sa që është realisht. Sikurse që ka bërë që ne të ndihemi më të vegjël se sa që jemi. Këtë lloj periudhe kur Kosova është shtet , e nuk është shtet , kur është e pavarur dhe nuk është e pavarur, të gjithë e kemi përjetuar rëndë dhe të gjithë  kemi pasur nevojë që ta lëmë të kaluarën. Kjo shfaqje flet për këtë temë”, tha në  fund  Fadil Hysaj.

Argëtim Fida, kryetar i Komunës së Dibrës, duke deklaruar të mbyllur këtë festival, u shpreh se, ”Përshëndes z. Musa Xhaferi, zv/kryeministër në Qeverinë e Maqedonisë, i cili me praninë e tij e madhëroi këtë festival, dhe e falënderoj për mbështetjen që më ka dhënë me vite mua dhe komunës sonë. Shpresoj që me ndihmën e tij do të arrimë që ky festival edhe të institucionalizohet dhe të merr vendin dhe ndihmën e merituar. Falënderoj  Ylber Nuredinin, drejtorin e festivalit dhe stafin e tij për angazhimin dhe organizimin e këtij festivali, trupat teatrore, regjisorët dhe aktorët, kritikët e teatrit për vlerat e shprehura, si edhe mysafirët e tjerë dhe publikun dibran për  mikpritjen e shprehur. Falënderoj të gjithë ata që kontribuuan dhe ndihmuan në mbajtjen e këtij festivali me shpresë se kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen”. Ylber Nuredini, drejtor i festivalit, tha se, “Falënderoj trupat pjesëmarrëse për performancat e tyre skenike, kritikët e dramës, jurinë profesioniste, falënderoj mediumet për afirmimin e këtij festivali përmes përmes mjeteve të informimit për publikun e gjerë, falënderoj  bashkëpunëtorët për organizimin e festivalit,  Komunën e Dibrës dhe kryetarin Argëtim Fida  për mbështetjen financiare, Ministrinë e Kulturës së Maqedonisë, Altin Spahiun, drejtorin e Qendrës Kulturore- Dibër,  Banjat e Dibrës-Capa, Knauf- Radika,  dhe shumë sponsorë tjerë, që ndihmuan për mbajtjen e këtij festivali”, u shpreh në fund Ylber Nuredini.