Shqiptarët drejtojnë drogën në relacionin Marok-Spanjë

Shqiptarët drejtojnë drogën në relacionin Marok-Spanjë

Shqiptarët drejtojnë drogën në relacionin Marok-SpanjëPiloti i forcave të armatosura shqiptare, Sokol Feka, i cili humbi jetën këtë fillim jave ndërsa pilotonte një helikopter të mbushur me drogë në Spanjë, nuk është shqiptari i vetëm i angazhuar në trafikun e drogës nga Maroku drejt brigjeve spanjolle.

Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Spanjës, dyshohet se është një rrjet i strukturuar mirë nga banda të drejtuar nga shqiptarë që jetojnë legalisht apo ilegalisht në Spanjë, ata të cilët kanë marrë kontrollin e trafikut mes shtetit afrikan dhe brigjeve spanjolle, ku trafikohet kryesisht droge e llojit kanabis.

Hetuesit spanjollë dyshojnë se ky rrjet i drejtuar nga bandat shqiptare ka kohë që ka bërë lidhjet e tyre edhe me kultivuesit e drogës së lehtë në Marok. Ky vend është shndërruar vitet e fundit, në hambarin e marijuanës për tregun evropian.

Në një studim të para disa viteve, Maroku është klasifikuar si shteti që mban vendin e parë në botë për prodhimin e kësaj droge, me rreth 27.2 për qind në krahasim me vende të tjera prodhuese, ku asokohe përfshihej dhe Shqipëria me rreth 4.7 për qind.

Ndërsa, Spanja klasifikohej si vendi i parë në botë për sasinë e kanabisit që importohej ilegalisht, me rreth 51 për qind të gjithë sasisë që trafikohej në botë. Pikërisht kjo hapësirë është bërë prej kohësh dhe epiqendra e trafikut, por dhe e luftës nga autoritetet shtetërore spanjolle dhe evropiane.

Bandat shqiptare dyshohet se janë super të specializuar edhe me trafikun nëpërmjet gomoneve nga brigjet marokene drejt atyre spanjolle. Nisur dhe nga eksperienca e vjetër në trafikun nga Shqipëria në Itali, mendohet se bandat shqiptare kanë marrë supremacinë në këtë trafik, duke u bërë dhe më të suksesshmet.

Piloti shqiptar, majori Sokol Feka, mendohet se është i pari që është provuar nga ky rrjet në trafikun ajror, ku përdoren helikopterët kryesisht të marrë me qera. Ajo që po hetojnë aktualisht hetuesit spanjollë është nëse rasti i kësaj jave, që përfundoi tragjikisht për pilotin shqiptar dhe për personin tjetër që ndodhej në bord, është i pari apo ka patur edhe raste të tjera.

Hetimet po drejtohen edhe tek viktima tjetër, pasi nga ai shpresohet të gjenden lidhjet me organizatorët e këtij rrjeti ne gadishullin iberik. /TV Klan/