|

Shqipëria përgatitet të kryesojë Këshillin e Evropës

Qeveria shqiptare ka nisur përgatitjet që të marrë brenda muajit maj presidencën shqiptare të Këshillit të Evropës. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, deklaroi dje se kjo është një mundësi epokale për vendin, pasi vendi mund të kryesojë presidencën pas disa dekadash.

“Ministria e Brendshme në këtë rast është jashtëzakonisht e interesuar që të ketë suksesin maksimal, ajo që quhet presidenca e Shqipërisë në Këshillin e Evropës, ku demokracia lokale është një nga shtyllat kryesore të KiE dhe si e tillë, e kthen ministrinë në një qendër epokale, në një nga shtyllat e rëndësishme të presidencës shqiptare”, shprehet Poni.

Siç njofton “Balkanweb”, zëvendësministri i brendshëm bëri të ditur se Shqipëria ka arritje të rëndësishme veçanërisht në qeverisjen lokale. “Presidenca tjetër do të jetë për jo më pak se 23 vite e gjysmë, është gjysmëshekullore, është epokale për Shqipërinë dhe kjo koincidencë që vjen me një jubile kaq të rëndësishëm është akoma dhe më shumë epokale”, shprehet zëvendësministri Poni.

Për 6 muaj vendi ynë do të drejtojë presidencën e Këshillit të Evropës, ku qeverisja vendore do të jetë në qendër të aktiviteteve që do të organizohen në Tiranë. Pak javë më parë, ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto takoi të dërguarin e sekretarit të përgjithshëm, Stoudman, për të diskutuar faktin që Shqipëria po bëhet gati që të marrë në muajin maj presidencën e radhës të Këshillit të Evropës.

Takimi mes ministrit të Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto dhe Gerard Stoudman, përfaqësues i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të KiE-së i ngarkuar me zhvillimin organizativ dhe reformën e KiE-së ka konsistuar pikërisht në këtë kuadër, i cili vjen për herë të parë për Shqipërinë. Nga ana e vet, Haxhinasto premtoi angazhim maksimal nga ana e qeverisë shqiptare, duke shtuar se në takimin me Stoudman është folur edhe për probleme politike të ditës si ecuria me reformat në vend.

“Diskutuam lidhur me përgatitjet për presidencën e ardhshme të Evropës, që siç e dini fillon në maj të këtij viti. Kemi folur për prioritetet e kësaj presidence, me qëllim që ato të jenë në përputhje të plotë si me presidencën aktuale britanike ashtu dhe me atë të ardhshme. Sigurisht që Shqipëria në këto prioritete ka futur edhe kontributin e saj të veçantë për sa u takon çështjeve të tolerancës, bashkëjetesës, si edhe kontributit të saj të veçantë për rajonin”, u shpreh shefi i diplomacisë shqiptare, Edmond Haxhinasto.

1 përgjigje për “Shqipëria përgatitet të kryesojë Këshillin e Evropës”

  1. Emiliano says:

    po shqiperia munet enne shiperia po nryshon bravo per shqiperine 2012 – 2014 :)

Komentoni