beach-vlore-albania

Shqipëria për 6 muaj u vizitua nga 1.2 milionë turistë

Ministria e Turizmit raportoi dje se për 6 muajt e parë të vitit 2011, vendin tonë e kanë vizituar 1.2 milionë turistë të huaj dhe vendas (emigrantë). Numri i vizitorëve me nënshtetësi të huaj është 764 539 persona kundrejt 549 105 vizitorëve të vitit të kaluar ose 39.2 për qind më shumë. Nga këta, 54 për qind janë vizitorë me netqëndrime, 36 për qind janë vizitorë ditorë dhe 10 për qind janë vizitorë transit.

Numrin më të madh të vizitorëve për këtë periudhë e kanë kosovarët me 34 për qind, maqedonasit 16 për qind, malazezët 10 për qind, italianët 6 për qind, grekët 8 për qind, gjermanët 3 për qind etj.

Turistët evropianë përbëjnë 94 për qind, amerikanë 3 për qind, aziatikë 2 për qind dhe të tjerë 1 për qind. Sipas mënyrës së udhëtimit, vizitorët ndahen rreth 80 për qind me tokë, 15 për qind nga ajri dhe pjesa tjetër nga deti. Pika hyrëse tokësore me fluks më të madh është Morini, nga i cili kalojnë më shumë se 30 për qind e vizitorëve, e ndjekur nga Muriqani dhe Qafëthana, secila me mbi 10 për qind të hyrjeve.

Nga analiza e kohëqëndrimit për jorezidentët rezulton se më shumë se 60% kanë shpenzuar deri në 5 ditë qëndrimi në Shqipëri, ndërsa rreth 16% shpenzojnë deri në 10 ditë.

Të ardhurat nga turizmi për 3 mujorin e parë të vitit 2011 janë 174.8 milionë euro kundrejt 161.3 milionë eurove në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ose 8.5 për qind më shumë.