Shqipëria nën ujë, tregtarët e energjisë pasurohen

Shqipëria nën ujë, tregtarët e energjisë pasurohen

Shqipëria nën ujë, tregtarët e energjisë pasurohenReshjet e ditëve të fundit kanë krijuar një situatë dramatike në zonat jugore të Shqipërisë, pasi vërshimi i ujërave të lumenjve ka detyruar qindra familje të braktisin shtëpitë e tyre të përmbytura.Dëmet materiale të shkaktuara nga përmbytjet janë të konsiderueshme, me fshatra të tërë nën ujë, qindra krerë bagëti të mbytura dhe fusha me të mbjella të shkatërruara.

Megjithatë, shirat e dendur kanë dhe një aspekt pozitiv: kanë përmirësuar situatën hidrike në digat e hidrocentraleve të KESH, duke rritur mundësinë e saj për gjenerimin e energjisë elektrike.

Por duket se taksapaguesi shqiptar, përfshirë edhe familjet e përmbytura, nuk do të përfitojnë shumë nga rritja e prodhimit në hidrocentrale.

KESH, i cili menaxhon prodhimin e hidrocentraleve nën pronësi publike, ka vendosur që energjinë e tepërt ta shesë me tender. Ndërkohë, kompania OSHEE, e cila gjithashtu është nën pronësi publike, ndryshe nga KESH, nuk ka tepricë energjie por deficit. Asaj i duhet të blejë energji, gjithashtu me tender.

Problemi është se në tenderat e fundit të zhvilluara nga dy kompanitë publike, kanë marrë pjesë të njëjtat kompani private, të cilat, nga njëra anë kanë blerë energjinë e prodhuar shtesë nga KESH dhe nga ana tjetër i kanë shitur energjinë e munguar OSHEE-së. Vetëm se mes dy tenderëve ka një diferencë jo të vogël në çmim.

Në tenderin e mbajtur të hënën me 2 shkurt, KESH sh.a ka nxjerrë në shitje 127,620 MWh elektricitet, për periudhën 4-28 shkurt 2015, i cili i është shitur në dy lote gjashtë kompanive, kur përfshihen GEN-I Beograd dhe GEN-I Athens, GSA Sh.p.k, Axpo d.o.o Beograd, EFT A.G dhe Danske Commodities Albania sh.p.k.

Çmimi i shitjes së energjisë për MWh ka variuar nga 36.93 euro në 43. 39 euro, për një vlerë totale prej 4,88 milionë euro. Çmimi mesatar për MWh i shitjes ka qenë 38.47 euro.

Pak ditë para se KESH të shiste, për të njëjtën periudhë kohore, OSHEE ka blerë 188,160 MWh, nga kompanitë AXPO d.o.o Beograd, ANTIX sh.p.k, GEN-I Tirana sh.p.k; GSA shpk dhe EFT AG, për një vlerë totale prej 10,75 milionë euro.

Çmimi mesatar i importit të OSHEE ka qenë 57.12 euro, ose 18.65 euro më i shtrenjte se çmimi i eksportit të KESH sh.a.

Pyetja që shtrojnë shumë ekspertë në këtë situatë është se pse KESH, nën pronësi publike, nuk ia ka shitur energjinë e prodhuar tepër drejtpërsëdrejti OSHEE-së, e cila është gjithashtu nën pronësi publike, duke i kursyer konsumatorëve miliona euro.

Nëqoftëse KESH sh.a do ja kishte shitur energjinë direkt OSHEE-së me çmimin e eksportit prej 38.47 euro, për sasinë 127,620 MWh kjo e fundit do kishte kursyer 2.3 milionë euro, të cilat me një të rënë lapsi kanë shkuar në xhepat e tregtarëve të energjisë.

Sipas kuadrit rregullator të tregut të energjisë OSHEE-ja është përgjegjëse për blerjen e energjisë elektrike për të mbuluar të gjitha humbjet në sistemin e shpërndarjes.

Në mungesë të energjisë së mjaftueshme në vend, zakonisht OSHEE e siguron këtë energji duke importuar 10 deri në 15 milionë euro nga tregu i importit.

Por megjithatë OSHEE ka mundësinë që të importojë një sasi më të vogël se humbjet dhe ta sigurojë këtë energji nga KESH sh.a, duke e blerë me çmim tregu.

Sipas ekspertëve të konsultuar nga BIRN, në bazë te kontratës OSHEE – KESH, dhe vendimi 40, datë 16.04.2013 të ERE, në rastin kur OSHEE nuk mbulon dot humbjet nga importi sasia e energjisë që merret nga KESH për mbulimin e këtyre humbjeve paguhet nga ana e OSHEE me vlerën monetare që i përket atij muaji kur kjo energji është lëvruar.

Për muajt prill, maj, qershor 2013, OSHEE mori te gjithë sasinë për mbulimin e humbjeve nga KESH, pasi në atë kohë KESH, kishte prurje te mëdha dhe mund te furnizonte OSHEE për klientët tariforë dhe mbulimin e humbjeve me çmime shumë të favorshme eksporti.

Mbetet e paqartë pse qeveria, e cila ka nën pronësi të dyja kompanitë, nuk e ka shfrytëzuar këtë opsion edhe tani. /Reporter/